Monika Kryemadhi: Rama do jetë i pandehur para drejtësisë
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama se shumë shpejt do të jetë i pandehur, teksa u ndal te Reforma në Drejtësi. Kryemadhi iu përgjigj Ramës, i cili gjatë Asamblesë së PS, ditën e shtunë, tha se LSI kishte frikë nga Reforma në Drejtësi, duke thënë se vetë kryeministri është frikacak dhe mendon që edhe të tjerët janë të tillë.
Kryetarja e LSI i kujtoi Ramës se ajo nuk ka frikë dhe se partia që ajo drejton nuk e njeh nocionin e frikës. Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, ajo paralajmëroi se shumë shpejt kreu i qeverisë mund të jetë një i pandehur i sistemit të drejtësisë.
“Rama është frikacak vetë dhe mendon se dhe tjerët janë frikacakë. LSI nuk e njeh nocionin e frikës, aq më shumë unë, dhe ai e di. Drejtësia nuk vendoset nga frika e kryeministrit. Ai mund të jetë shumë shpejt një i pandehur i sistemit të drejtësisë, për vetë mënyrën si ka jetuar e punuar”, – tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një komunikim me mediat foli edhe për “stinën” e protestave të opozitës që do të nisë shumë shpejt.
Kryemadhi zbuloi detaje në lidhje me aksionin opozitar, kur do të nisin protestat dhe si do të organizohen.
“Diapazoni i protestës është shumë i madh, sepse dhe problemet janë të shumta. Do të bëjmë një organizim të protestës në mënyrë shumë dimensionale.
Do të jetë një ndër protestat më të mëdha, nuk kemi vendosur akoma për datën, por që protesta do të vijojë. Do të kemi një lëvizje të mirëorganizuar, e cila do të përfundojë me realizimin e objektivit me sukses. Nuk është çështje çadre, s’ka më çadër.
Çizmja është simbol, se po të duash mund ta dhunosh shumë lehtë Edi Ramën. Protestat janë legjitime dhe nuk i ndalon dot njeri. Nëse reagimi do të jetë i dhunshëm, edhe përgjigjja do të jetë e dhunshme. Edhe Jezu Krishti ndonjëherë e kapte kamxhikun në dorë”, tha Kryemadhi.
KOHA JONË SONDAZH

