Balla: Organizatorët e protestës të mbajnë përgjegjësi
Një ditë pas protestës së fëmijëve dhe nxënësve të shkollës 9-vejcare në Mengel të Elbasanit e cila u shoqërua me bllokimin e rrugës, deputeti i qarkut, Taulant Balla ka inspektuar sot nisjen e punimeve për rikonstruksionin e shkollës, së dëmtuar nga tërmeti një vit më parë. Balla është shoqëruar nga kreu i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, ndërsa ka thënë se PD gënjeu disa banorë se gjoja shkolla do të mbyllej.
“Shkolla kishte degraduar dhe mund të shembej. Po vendosen sot trarë betoni për të forcuar strukturën. Punimet do të përfundojnë për 15 ditë. PD gënjeu disa banorë se gjoja shkolla do të mbyllej. Turp për ata që bëjnë politikë vetëm me shpifje dhe gënjeshtra. PD mbështeti në Këshillin Bashkiak rikonstruksionin. Nëse nuk ndërhyhej Shkolla ishte rrezik për jetën e fëmijëve. Është ndërhyrë sapo u konstatua degradimi dhe rreziku”- tha Balla.
Kryetari i Grupit Parlamentar Talant Balla së Bashku me Kryetarin e Bashkisë Qazim Sejdini, Drejtorin e DAR dhe zyrtarë të tjerë inspektuan nisjen e punimeve dhe informuar opinionin publik me shtyrjen politike që u është bërë banorëve të Menglit. Balla e cilësoi protestën e PD si të pakuptimë.
“Siç e keni ndjekur në gjithë këto ditë, ja dhe e vërteta e gjithë kësaj historie. Bashkia Elbasan, ka një kujdes të veçantë për të gjitha shkollat, kujtoj këtu që vetëm gjatë këtij viti në Elbasan kemi hapur disa shkolla tërësisht të rikonstruktuara. Këtu kemi një shkollë e cila ka pasur probleme prej shumë vitesh, të cilat vit pas viti, siç na informojnë edhe inxhinierët kishin degraduar derisa e gjithë pjesa e sipërme e trarëve është e dëmtuar dhe soleta rrezikonte të binte brenda klasës. Po bëhet kjo ndërhyrje urgjente, dhe unë dua të falenderoj Këshillin Bashkiak të Elbasanit të cilët propozimin e Kryetarit të Bashkisë e miratuan në unanimitet, madje përfaqësuesit e përgjegjshëm të asaj partie e kanë mbështetur vendimin. Tenderi publik mori të gjithë procedurën e duhur dhe tashmë jemi para faktit që këtu kanë nisur punimet dhe vendosja e trarëve do të garantojë siguri.
Në përfundim të 15 ditëve shkolla do të jetë funksionale. Dua të them diçka që ka të bëjë me shpifjet dhe me keqinformimin që i bëhet gjithmonë opinionit publik nga disa njerëz të një partie që ka humbur lidershipin, ka humbur ekipin dhe programin.
Eshtë turp që dje u mbajt për 6 orë e bllokuar, nga ana e një deputeti të PD, rruga kombëtare, ku të sëmurë, pensionistë, fëmijë që qarkullojnë në këtë rrugë nuk dinin se ç’po ndodhte. A ka sot një arsye se pse u protestua? A mund t’i fusnim fëmijët në këtë shkollë dhe të rrezikonin jetën e tyre? Ky është turp!
Kjo çështje tashmë është sqaruar, kishte një keqinformim të gjithë banorëve të Menglit, se gjoja shkolla do të privatizohej. Keni dëgjuar ndonjëherë privatizim shkolle?
Këto janë histori të turpshme dhe të gjithë ata që kanë përhapur këto shpifje këtu në Mengël duhet të mbajnë përgjegjësi. Nuk ndodh në asnjë vend të bllokohet rruga se një parti do të mbajë një fljalim”,- tha Taulant Balla.
KOHA JONË SONDAZH

