Omikron frikëson botën. Ministrat e Shëndetësisë së vendeve 7 vendeve më të zhvilluara në mbledhje të jashtëzakonshme

Gjithnjë e më shumë shtete kanë konfirmuar raste të variantit të ri të virusit Corona dhe vendosin kufizime udhëtimi. Sipas të dhënave të para të mjekëve, pacientët me variantin Omikron shfaqin “lodhje ekstreme”.

Për shkak të përhapjes së variantit të ri të virusit, Corona, Omikron, Britania e Madhe presidente e radhës së takimit të vendeve të G7-s ka thirrur një takim të jashtëzakonshëm të ministrave të Shëndetësisë së G7-s. Këtë të hënë ministrat e Shëndetësisë së vendeve të G7-s konsultohen mbi zhvillimin e ri të pandemisë, variantin Omikron. Organizata Botërore e Shëndetësisë e klasifikoi tanimë rrezikun që del nga varianti i ri si “shumë të lartë”. Varianti Omikron paraqet një rrezik të madh global, sipas OBSH, dhe u bëri thirrje vendeve që të sigurojnë që planet për parandalimin e virusit të jenë në fuqi.

“Lodhje ekstreme”

Por cilat janë simptomat që shfaqen tek të infektuarit me Omikron? Në lidhje me simptomat që tregon varianti i ri, Omikron, drejtuesja e Shoqatës së Mjekëve të Afrikës së Jugut, SAMA dhe mjekja afrikanojugore Angelique Coetzee u shpreh për agjencinë e lajmeve, AFP se shumë nga pacientët e saj me Omikron tregojnë simptoma të pazakonta, por të lehta. Tek shumica e të prekurve bëhet fjalë për meshkuj nën moshën 40 vjeç që ankohen për “lodhje ekstreme”. Kurse për gazetën britanike “Telegraph”, Coetzee u shpreh me shqetësim, se personat e moshuar me sëmundje të tjera, Omikron mund t’i godasë rëndë.

Virologu i njohur gjerman, Christian Drosten i sheh me skepticizëm raportimet për ecuri të lehtë. Për televizionin gjerman, ZDF ai tha, se “nuk dimë vërtet shumë. Më duhet të them, se për momentin jam shumë i shqetësuar, të shoh kaq shumë mutacione tek virusi. Por këto mutacione janë të vetmet gjëra të kapshme tek virusi, nuk e dimë menjëherë, se ç’bëjnë mutacionet në realitet. Ka sot raportime për ecuri të lehtë. Mendoj, se nuk ka shumë substancë tek kjo. Kemi provuar vetëm mbi 1000 raste dhe ecurinë klinike të tyre duhet ta shohim.”

Ursula von der Leyen: “Duhet të fitojmë kohë”

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen u bëri thirrje të shtunën qytetarëve në Europë që të vaksinohen, të mbajnë maskën dhe të respektojnë rregullat e distancës. “Ne duhet të fitojmë kohë”, tha von der Leyen gjatë një vizite në kryeqytetin letonez, Riga. Nëse Omikron klasifikohet si variant që e mund vaksinën, atëherë në kontratën e BE me BioNTech Pfizer për furnizimin me 1,8 miliardë doza, hyn në fuqi një klauzolë e përcaktuar, që prodhuesi duhet të përshtasë vaksinën ndaj variantit të virusit brenda 100 ditësh.

Omikron – varianti me emrin e alfabetit grek u zbulua ditë më parë në Afrikën e Jugut. Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa pret një valë të katërt Corone në javët e ardhshme. Ky variant ka shtuar rastet e Coronës në provincën e shumëpopulluar, Gauteng, ka thënë Ramaphosa. Ky vend nuk ka planifikuar aktualisht një lokdaun.

Ndërkohë rastet e variantit të ri Omikron janë konfirmuar në disa vende. Në Holandë 61 vetë e sollën virusin nga Afrika e Jugut, tek 10 prej tyre është diagnostikuar varianti Omikron. Edhe në Australi, Belgjikë, Danimarkë, Gjermani, Britaninë e Madhe, Izrael, Itali, Kanada, Austri dhe Çeki janë identifikuar raste me Omikron. Shumë vende kanë ashpërsuar masat duke vendosur kufizime udhëtimi. Presidenti i Afrikës së Jugut e kritikoi këtë duke e cilësuar si “diskriminim të padrejtë të vendit tonë dhe vendeve simotra.”

Përgjim i celularit përmes shërbimit sekret

Japonia për momentin shpalli ndalimin e udhëtimit për të huajt në vend. Kryeministri i vendit, Fumio Kishida u shpreh se ka vendosur “si masë emergjence” nga e marta ndalimin e kufizimin e udhëtimit për të huajt nga e gjithë bota. Edhe Izraeli vendosi nga e diela ndalimin e plotë të udhëtimit për të huajt. Rastet e veçanta duhet të miratohen nga një komitet i posaçëm. Shërbimi i brendshëm informativ, Shin Ben rivendosi përgjimin zyrtarisht të pacientëve me Corona dhe kontakteve të tyre. Kjo masë u përdor në fazën e parë të pandemisë, por për shkak të kritikave u tërhoq./DW

SHKARKO APP