Paketa anti-shpifje, Balla: Fond edukimi me gjobat
Një nga lagjet e varfra të qytetit të Librazhdit shumë shpejt do të ketë një kopësht të ri për fëmijët. Është lagja ku kryesisht jeton komuniteti egjiptian dhe ai rom të cilët meritojnë një vëmendje të veçantë. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se tashmë është gjetur financuesi për ndërtimin e këtij kopshti për fëmijët.
“Shumë shpejt, përmes Fondit të Edukimit që do të krijojmë me të ardhura nga shpifësit do të ndërtojmë një kopësht për këtë lagje. Ka qenë një kërkesë prej shumë vitesh e banorëve dhe më në fund kemi një mundësi të artë për të gjetur fondin për kopshtin për fëmijët e kësaj lagjeje”, tha Balla.
Gjithashtu Balla i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra inspektuan punimet për përmirësimin e kushteve të jetesës së 65 familjeve në Librazhd. Një projekt i Qeverisë Shqiptare i cili bëri të mundur që 65 familje tashmë të jetojnë në kushte normale.
“65 familje në Bashkinë Librazhd, falë një projekti të drejtuar nga Kryetari i Bashkisë, Kastrioti në bashkëpunim me qeverinë, do të kenë tërësisht kushte dhe standarde normale jetese. Shtëpia pas meje, kishte çatinë të rënë dhe ne, përmes këtij projekti, po rindërtojmë çatinë dhe të gjitha muret mbajtëse e dyer, dritare, me qëllim që shtëpia të ketë kushte normale. Të njëjtën gjë po bëjmë edhe në 64 shtëpi të tjera. Kështu garantojmë që familjet më të varfëra, pjesë edhe e komunitetit të nderuar egjiptian, tashmë jetojnë në kushte normale, sepse vëmendja jonë është tek njerëzit dhe jemi të fokusuar të ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë për ne”- deklaroi Balla.
Ndëraa kryetari i Bashkisë, Gurra theksoi se punimet po vijojnë me intensitet për të përfunduar përpara stinës së dimrit ndërsa premtoi se projekti do të vazhdojë.
“Këtij financimi i shtohet edhe vendimi që ka marrë Bashkia Librazhd për të qenë pranë personave që kanë pamundësi financiare për shtëpitë me qira, ku bashkia paguan 50-70% të qirasë, mendoj që është mënyra më e mirë për të qenë krah njerëzve dhe kryesisht pranë kategorive të pafavorizuara”, – u shpreh Gurra.
Nga ana e tyre, familjet përfituese u shprehën mirënjohës për këtë investim, i cili për mundësitë e tyre ekonomike ishte i pamundur.
“Në shtëpi i kisha kushtet shumë të vështira. Kisha shpërndarë familjen, burrin fëmijët, sepse aty nuk mund të jetohej. Tashmë që shtëpitë u rregulluan do jetojmë normal si gjithë të tjerët”.
Ky është viti i dytë i zbatimit të këtij projekti në Bashkinë e Librazhdit. Një vit më parë përfituese ishin 16 familje, ndërsa këtë vit fondi dhe numri i përfituesve u katërfishua.
KOHA JONË SONDAZH

