Pas Ballës dhe Salianjit, një tjetër deputet do paraqitet nesër në Prokurori (Dokumenti)
Thirrja pasditen e sotme e deputetit Taulant Balla hap dhe serinë e thirrjeve të zyrtarëve të lartë në prokurori, ku seria do të vijojë nesër në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Një tjetër hetim ndaj zyrtarëve të lartë është në proces dhe që ka të bëjë me përgjimin e vëllait të ministrit të Brendshëm, Famir Xhafaj. Prokuroria pritet të thërrasë nesër, për herë të dytë, deputetin demokrat Ervin Salianji si person që ka dijeni për mënyrën sesi u bë përgjimi ndaj vëllait të ministrit.
Por përveç këtyre, një tjetër hetim po zhvillohet nga Prokuroria e Fierit e cila ka thirrur nesër deputetin e PD-së në Fier, Luan Baçi, i cili pritet të dëshmojë mbi një ngjarje të ndodhur në datë 9 qershor të këtij viti.
Në fletë-thirrjen që mban datën 29 shtator dhe të firmosur nga Oficeri i Policisë Gjyqësore Dritan Ibro, deputetit demokrat i kërkohet të paraqitet nesër pranë prokurorisë në orën 12:30.
“Në rast mos paraqitjeje ditën dhe orën e caktuar, pa pasur pengesa të ligjshme, paralajmëroheni se do të urdhërohet shoqërimi i detyrueshëm nga policia gjyqësore”- i kujton OPGJ, Dritan Ibro deputetit Luan Baçi. 
Ndërkaq ky i fundit, teksa publikon dhe fletëthirrjen e prokurorisë, saktëson se nuk është vënë në dijeni nga Prokuroria se kush është objekti i hetimit për të cilin ai thërritet nesër të dëshmojë.
/ Koha Jonë
Ja çfarë shkruan deputeti i PD-së Luan Baçi në faqen e tij zyrtare në “Facebook”

Pak ditë më parë më telefonuan, nga Prokuroria dhe me arrogancën që i karakterizon, me urdhëruan pa dhënë asnjë shpjegim se duhet të paraqitesha në prokurori!
I kërkova zotërisë që telefonoi se kush që arsyeja dhe ju kush jeni, pasi, nuk ju njoh.
Për 9 Qershorin më tha.
Sinqerisht nuk e di se çfarë përfaqëson kjo datë dhe ju zotri,- i thashë, duhet të zbatoni ligjin, për të thirrur, se telefonata juaj më duket e tepruar në kompetenca.
Nuk vonoi dhe ja ma dërguan Urdhërin.
Duan të na friksojnë, të na mbyllin gojën, të na terrorizojnë dhe a dini pse ?
Çfarë ka ndodhur në 9 Qershor?
Ishte dita që Naltë Gjatësia e tij erdhi në Fier dhe qindra Fierakë të ndershëm me dhe pa Parti u mblodhën dhe thirrën nuk të duam z. Kryeministër, ti po na poshtëron, ti po na largon nga vendi ynë, ti po na varfëron çdo ditë, ti na ke mërzitur jetën.
Unë si zakonisht ndodhem gjithmonë aty ku ka njerëz, aty ku ka qytetarë që janë në hall dhe kërkojnë të drejtën e tyre.
Dhe këta si zakonisht më akuzojnë se unë i organizova, unë bllokova Krye gjatësinë e tij dhe kjo nuk tolerohet.
Mundet për këtë të më kenë thirrur, nejse:
Nesër në orën 12 e 30 min aty do jem, pa merak.
Por të jeni të sigurtë se nuk më trembni dot, nuk ju kam frikë, herë tjetër do të jem me mijëra Fierakë të tjerë përballë jush.
Ju ka filluar numërimi mbrapsht, mendojeni mirë këtë.
KOHA JONË SONDAZH

