Pas negociatave në Korçë “zbutet” Athina. Ministrit grek premton mbrojtje për emigrantët
Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko është takuar me ministrin e Brendshëm grek Panagiotis Skouletis ku janë diskutuar çështje të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Mbrojtja e emigranteve dhe sidomos komunitetit shqiptar është prioritet i qeverisë greke”. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm grek, Panagiotis Skouletis, gjatë takimit me Majkon në Athinë.
Majko vlerësoi qeverinë greke për dashamirësinë e treguar ndaj të huajve, e kryesisht shqiptarëve, ndërsa vuri theksin tek ripërtëritja e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ministri i Shtetit për Diasporën përmendi takimet e fundit mes Ministrave të Jashtëm dhe Kryeministrave grekë e shqiptarë, që siç tha, përcollën mesazhe shumë te qarta për lidhjet dypalëshe.
‘Të dyja shtetet kanë një të ardhme të përbashkët’, u shpreh Majko. Ministri i Shtetit për Diasporën kërkoi më shumë vëmendje ndaj temave të thjeshta, të tilla si mësimi i gjuhës shqipe.
Lidhur me këtë çështje, Ministri i Brendshëm grek pohoi se ruajtja e gjuhës është shumë e rëndësishme. Ministria e brendshme greke ka krijuar një pozicion te ri, Sekretari i Posaçëm për çështjet e nënshtetësisë, i cili gjate takimit u kujdes të siguronte Ministrin se po punojnë për lehtësimin e procedurave për integrimin e fëmijëve në shoqërinë greke.
Ministri i brendshëm grek u shpreh gjithashtu se Shqipëria do të ketë mbështetjen e plotë të Greqisë në përpjekjen për tu integruar në BE.
Ministri Majko zhvilloi një takim edhe me Avokatin e Popullit në Greqi, Andreas I. Pottakis, ku problematikat e komunitetit shqiptar në Greqi ishte në fokus të bisedimeve.
Avokati i Popullit e njohu Ministrin Majko lidhur me vështirësitë me të cilat përballen shqiptarët që jetojnë atje.
Pottakis bëri të ditur se qindra shqiptarë i drejtohen çdo vit zyrës së tij, kryesisht lidhur me çështjet e pensioneve dhe sigurimeve.
Nga ana e tij, Majko u ofrua të ndihmojë për krijimin e lehtësirave për shqiptarët atje dhe kërkoi krijimin e praktikave mbështetëse pranë Avokatit të Popullit, për studentët që studiojnë në Greqi.
Ministri i Shtetit për Diasporën kërkoi që emigrantët shqiptarë të vazhdojnë të trajtohen me prioritet, pasi siç u shpreh, baza e marrëdhënieve mes dy vendeve janë ato njerëzore.
KOHA JONË SONDAZH

