PD dhe LSI padisin Ramën për kanosje ndaj oficerit Nuhu
Krerët e grupeve të PD e LSI kallëzuan në Prokurori Kryeministrin Edi Rama për kërcënim ndaj oficerit të policisë Emiliano Nuhu. Kallëzimi mban datën 3 tetor 2018 dhe grupet parlamentare të PD dhe LSI përfaqësohen nga kryetarët respektivë Edmond Spaho dhe Petrit Vasili.
Spaho foli për mediat menjëherë pas depozitimit të kallëzimit në Prokurori, duke thënë se me deklaratën e dhënë para pak ditësh mbi Kryeministrin Rama rëndojnë 3 vepra penale, për të cilat Spaho thotë se këto shkelje dënohen nga 2 deri në 4 vjet burg.
Opozita ka tre akuza ndaj Ramës “kanosja për shkak të detyrës”, “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “kanosja për të moskallëzuar”. Sipas opozitës, këto akuza rrezikojnë ta dënojnë kryeministrin me 2, 3 deri në 4 vite burg.
Sipas PD dhe LSI, nga deklarimi publik i Kryeministrit Edi Rama më datë 29.09.2018, arrihet në konkluzionin se:
a) Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet deklarimit të tij publik, ka patur për qëllim jo vetëm manipulimin e opinionit publik mbi çështjen, por mbi të gjitha intimidimin dhe paracaktimin e rezultatit të hetimit nga organet ligjzbatuese, me synimin për të penguar zbulimin e të vërtetës.
b) Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet deklarimit të tij publik, ka patur për qëllim kanosjen mafioze ndaj Nënkomisarit Emiljano Nuhu, me synimin për ta friksuar që të mos flas më tej.
c) Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet deklarimit të tij publik, ka patur për qëllim kanosjen mafioze ndaj çdo punonjësi të Policisë së Shtetit që ka dijeni mbi rrethanat e ngjarjes, me synimin që ato të mos dëshmojnë dhe të mos tregojnë të vërtetën, por të heshtin.
Sikurse, nga hetimi i SHÇBA dhe këqyrja e pamjeve filmike në ambientet e komisariatit të Fushë Krujës, as Nuhu por as edhe personat e akuzuar prej tij nuk rezultojnë të kenë qenë në stacionin e policisë së Fushë Krujës në datën 21 korrik, siç pretendon oficeri se është kanosur me armë në kokë nga Xhelal Rraja, vëllai i deputetit Rrahman Rraja, për të lënë të lirë djalin e tij, Rexhep Rraja i kallëzuar për ushtrim dhune nga ish e dashura, Xhisiela Maloku.
Prononcimi i Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili, pas denoncimit që së bashku me kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së Edmond Spaho, kanë depozituar në Prokurori ndaj kryeministrit Rama
Doja të shtoja pak fjalë. Arsyeja për të cilën ne ndodhemi këtu është shumë e thjeshtë, kemi paditur kryeministrin për një arsye shumë qartë për të gjithë ju, sepse Kryeministri i vendit nuk i është kanosur dënuesit, por i është kanosur denoncuesit dhe ky është fakt publik.
Së dyti, çdo pretendim i lidhur me deklarimet e komisar Nuhut edhe ndonjë pyetje të ndonjë kolegut tuaj këtu, mbas këtyre deklarimeve, djali i deputetit ndodhet në “Arrest me Burg”. Kurse për dy muaj rresht djali i deputetit shëtiste nëpër Shqipëri dhe bënte çfarë të donte. Pra fakti është që deklarimet, vendosën në lëvizje në proces, shkaktuan arrestimin se në rast të kundërt nuk do të arrestohej ai dhe njëkohësisht hapën një kalvar të tërë, edhe një dokumentacion të tërë i cili ishte i fshehur edhe nga ju, pasi ju me një njoftim jeni njohur nëpërmjet postimeve në Facebook të personave publik muaj më parë, i cili nuk u mor në konsideratë pasi ishte i fshehjes së të vërtetës dhe të gjitha këto deklarime që ndodhën bënë të mundur që një e vërtetë e madhe të dalë në shesh dhe kjo e vërtetë kërkon të hetohet dhe të thellohet, ndërkohë që kemi një kryeministër i cili u kanoset për jetë a vdekje ka thënë këtyre që denoncojnë të vërtetat, kudo që të jenë ata, në detyrë apo jo dhe ka marrë misionin e madh që çdo lloj të vërtete ti mbyllë gojën.
Këto janë pikërisht për të mos ta mbyllur fytin dhe gojën. Jemi njëherazi për të vënë sërish në provën e moralit dhe të zbatimit detyrës shtetërore Prokurorinë, pasi kemi qenë së bashku në Prokurorinë e Krimeve të rënda ku është sërish i paditur Edi Rama. Ju e dini përse Pasi deklaroi se kishte bërë ekspertizën e audiopërgjimit të vëllait të ministrit të brendshëm. Dhe ju e dini që Prokuroria dhe sipas lajmeve që jepni ju vetë vetëm para pak ditësh, të paktën referohet nga vetë ju sikur kishte marrë përgjigje. Një përgjigje që medemek e kishte marrë që një ditë më mbrapa dhe në mënyrë kompetente.
Pra kjo është një provë e madhe këtu për zbulimin e të vërtetave në radhë të parë nga Prokuroria për t’i shkuar deri në fund. Në radhë të dytë për t’i thënë që s’ka aty drejtësi, një drejtësi që nuk vepron për kryeministrin, por një drejtësi që vepron për të gjithë ju, edhe ju si gazetarë.
Ju kujtoj edhe një gjë tjetër që nuk duhet ta harroni që kolegëve tuaj u janë sekuestruar celularët menjëherë pas një transmetimi televiziv, kurse kryeministri që deklaron gjëra shumë të rënda dhe të rrezikshme sot ë kësaj ditë nuk është marrë asnjëherë në pyetje. Pyetja ime është çfarë ka më shumë qytetari Edi Rama se çdo qytetar dhe gazetar në Shqipëri? Dhe prandaj jemi dhe për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje të madhe këtu. Faleminderit.
KOHA JONË SONDAZH

