PDK, Ndoka: Votimi elektronik, “bibla” e zgjedhjeve! PS ka shkatërruar standartet e zgjedhjeve
Votimi elektronik, “bibla” e zgjedhjeve!
Ka një qëndrim të palëkundur sot nga opozita parlamentare për standardet e zgjedhjeve, të vetmin kusht dhe garanci, votimin elektronik!
Mazhoranca thotë sot, se nuk ka kohë, në fakt ka kohë, por nuk ka vullnet!
Mazhoranca thotë sot, se ka kosto, por në fakt vetëm Beqja ka abuzuar për një vit më shumë se kostoja e zgjedhjeve.
Mazhoranca thotë sot, se PD-ja nuk e meriton votimin elektronik, në fakt nuk e meriton as PS, as PD, por e meritojnë shqiptarët për të votuar dhe vendosur të lirë.
Mazhoranca thotë sot, se vendet e tjera nuk e kanë këtë sistem, por në fakt ato nuk kanë fenomenin e vjedhjes dhe manipulimit të votës, nuk kanë kriminelë në parlament, nuk kanë grupe kriminale që kontrollojnë zgjedhjet, ndaj duhet numërim elektronik.
Mazhoranca kur ishte opozite, nuk kërkoi standarde për vendin, por pazare dhe garanci për pushtetin personal. Shembi Kushtetutën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, duke e kthyer nga garanti i unitetit kombëtar, në produkt politik të një pale.
Shembi sistemin zgjedhor, duke u përpjekur të godasë pluralizmin dhe të zhdukë disa parti politike.
Pra, për tetë vite në opozitë, PS nuk kërkoi standarde, por pazare politike në dëm të institucioneve dhe demokracisë në vend.
Të gjitha këto i arriti me “konsensus” me PD, ndërsa sot kur opozita i kërkon standardet, PS-ja i kthehet retorikës.
Kur PD sot në opozitë, po tregohet më dinjitoze, se PS në opozitë dje, minohet fryma e konsensusit dhe fillon përplasja dhe demagogjia e radhës.
Sa për kujtesë, Partia Demokristiane e Shqipërisë, si subjekti politik është goditur më shumë nga manipulimi, vjedhja dhe tjetërsimi i votës.
Në vitin 2007, isha i vetmi ministër, që votova kundër mazhorancës ku bëja pjesë për ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit.
Në vitin 2008, grupi parlamentar demokristian futet në grevë urie ne Kuvend, duke kundërshtuar pazaret e PS e PD për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
Në vitin 2009 bashkohemi në opozitë me PS në aksionin politik për votën e lirë.
Sot në vitin 2017, sërish bashkohemi me opozitën dhe standardet zgjedhore.
Në të gjitha rastet kemi lënë dhe sakrifikuar pushtetin duke zgjedhur opozitën dhe standardet. Kur opozita dhe qeveria janë bërë bashkë mes pazaresh, demokristianët përsëri janë vendosur kundër tyre dhe në krah të standardeve.
Ndaj nëse asnjë parti apo lider politik, nuk e ka të drejtën morale për t’i kërkuar standardet, demokristianët shqiptare kanë të drejtën e Zotit për t’i kërkuar dhe gëzuar standardet e zgjedhjeve, që sot është votimi elektronik.
Ka ardhur momenti, që për herë të parë të fitojnë standardet, dhe jo pazaret politike; të fitojë vota e lirë; të fitojnë qytetarët shqiptarë, që në fund të vendosë vota për qeverisjen e vendit, jo varfëria dhe korrupsioni qeveritar.
A ka të drejtën morale dhe politike PD-ja sot në opozitë, të kërkojë reformë zgjedhore?!
Mendoj se po, për faktin se PD dhe opozita sot, nuk po kërkon pazare, por standarde dhe garanci për të gjithë!
Rama nuk po arrin të ngrihet si “burrë shteti”, duke arritur konsensus me opozitën dhe vendosur standarde, por mbeti një magazinier pazaresh dhe marifetçi politik i pariparueshëm.
Sot Rama, ka dy mundësi, e para, të pranojë propozimet e opozitës dhe të drejtojë zgjedhjet. E dyta, të konsumojë afatin katër vjeçar kushtetues, të largohet, dhe zgjedhjet t’i organizojë një qeveri tranzitore.
Është koha për aksion dhe vendosmëri për opozitën dhe përgjegjshmëri dhe tolerancë për mazhorancën.
Nëse njëra çedon, varianti maqedonas na pret edhe ne!
Opozita po fillon ngritjen e madhe duke gjetur veten dhe kauzën, qeveria çmontimin dhe degjenerimin politik dhe moral!
KOHA JONË SONDAZH

