Petrit Vasili kërkon nga Fatmir Xhafa se ç’po gatuajnë në fshehtësi
Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili i ka dërguar dy ditë më parë, kreut të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, ku i kërkon informacion se si po shkojnë negociatat mes PS dhe PD për reformën në drejtësi.
Vasili kërkon nga Xhafaj të informohet nëse informacioni që i kërkon për negociatat është konfidencial apo jo.
“Si anëtar i komisionit të posaçëm të reformës në sistemin e drejtësisë kërkoj nga Ju të informohem konkretisht lidhur me këto variante zgjidhjeje, të cilat po negociohen, pasi kjo është një domosdoshmëri politike dhe parlamentare si dhe detyrim i imi edhe në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të LSI-së për të informuar grupin parlamentar si dhe për të formësuar një qëndrim politik e profesional të argumentuar lidhur me to”, shkruan Vasili në letrën e tij.
Më 21 korrik është planifikuar që drafti i reformës të kalojë në Parlament për votim, ndërkohë që mazhoranca dhe opozita ndahen vetëm në një pikë, atë të rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias që nuk pranohet nga shumica.


