Presidenti Meta: Të plotësohen sa më shpejt vakancat në Gjykatën Kushtetuese

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në përgjigje të interesit të gazetarëve i është përgjigjur sot pyetjeve të tyre, duke përcjellë mesazhet e Tij në lidhje me rëndësinë madhore që kanë sot disa çështje që shqetësojnë opinionin publik të tilla si funksionimi i organeve të sistemit të drejtësisë, të Gjykatës Kushtetuese, apo ecurisë së procesit të negociatave të Republikës së Shqipërisë me Republikën e Greqisë për kufizimin e zonave detare midis tyre.

Presidenti i Republikës gjatë këtij prononcimi i pyetur nga gazetarët në lidhje me gjendjen aktuale të bllokimit dhe mosfunskionimit të Gjykatës Kushtetuese, ka nënvizuar rëndësinë që ka përfundimi nga institucionet e rivlerësimit kalimtar, pra të institucioneve të Vettingut të të gjitha procedurave për të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që janë shqyrtuar në shkallën e parë, por që ende nuk janë marrë në shqyrtim përfundimtar. Përfundimi i këtij procesi është i domosdoshëm që të kemi sa më shpejt një Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe të përgjegjshme, për t’i dalë për zot Kushtetutës së vendit dhe të gjithë debateve lidhur me kushtetuetshmërinë e ligjeve, apo të akteve të ndryshme.

Presidenti i Republikës ka vënë theksin në mezazhin e tij për plotësimin sa më shpejt të vakancave përfundimtare të krijuara në trupën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, për të cilën janë hapur procedurat e konkurimit që prej muajit shkurt të këtij viti nga Institucioni i Presidentit të Republikës dhe më pas edhe nga Kuvendi.

Swiss Digital Desktop Reklama

Presidenti Republikës ka përcjellë edhe një herë mesazhin dhe kërkesën që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të funksionojë sa më shpejt, për të vlerësuar kandidaturat, të cilat janë paraqitur në përputhje me procedurat kushtetuese e ligjore, si nga Presidenti i Republikës, ashtu edhe nga Kuvendi i Shqipërisë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Interesit të gazëtarëve në lidhje me qëndimin e institucionit të Presidentit të Republikës, në lidhje me ecurinë e negociatave me shtetin Grek për arritjen e një marrëveshje për kufizimin e zonave detare, dhe diskutimet me Kryeministrin Rama, apo marrëdhëniet me Ministinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, mbi këtë çështje Presidenti ndër të tjera i është përgjigjur se:

“Aktualisht jemi në një proces për të marrë vendime të mëtejshme, pasi Institucioni i Presidentit ka kërkuar dhe pret informacione edhe më të plota nga Ministria e Punëve të Jashtme, informacione këto që duhet të vijnë sipas standardeve më serioze që meriton rëndësia e kësaj çështjeje”.

Presidenti Meta ka theksuar rëndësinë që ka zgjidhja e kësaj çështjeje, sepse është shumë e rëndësishme për të dyja vendet, jo vetëm si tejkalim i një problemi të mbartur, por edhe si çelje e mundësisë dhe perspektivës për menaxhimin dhe shfrytëzimin e këtyre të mirave qytetare apo natyrore.

Presidenti Meta ka informuar gazetarët që në takimin me Kryeministrin Rama është diskutuar edhe për ecurinë e negociatave me Greqinë, por Kryeministri nuk ka ardhur për të informuar për ecurinë e negociatave, sepse ai nuk është përgjegjës apo negociator i drejtpërdrejtë në këtë çështje.

“Me Kryeministrin kemi diskutuar duke bërë një vlerësim të situatës së deritanishme dhe perspektivës për të ecur drejt mundësisë së finalizimit të një marrëveshjeje sa më shpejt të jetë e mundur, por gjithmonë në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”.

Presidenti Meta ka sqaruar gazetarët që çështja e komunikimit deri më tani sa i takon informacioneve ka qenë me Ministrinë për Punët e Jashtme dhe Evropës, pasi ajo ka qenë dhe është ministria përgjegjëse dhe koordinatorja e këtij procesi.

“Ne jemi jo vetëm në bashkëpunim apo dialog të vazhdueshëm, por edhe në një marrëdhënie tepër korrekte dhe të qartë dhe formale përsa i takon ndjekjes së angazhimeve dhe përmbushjes së tyre të deritanishme nga Ministria e Punëve të Jashtme”.

Presidenti i Republikës, ka evidentuar se të gjitha vendimet e Institucionit të Presidentit mbi këtë çështje do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe në përputhje dhe me përgjegjësitë që i takojnë këtij Institucioni ashtu sikurse edhe të gjithë institucionet e tjera kanë përgjegjësitë e tyre të cilat do t’i ushtrojnë në kohën e duhur.

Presidenti Meta, ka theksuar dhe një herë se “është e rëndësishme që në këtë çështje të ecim në mënyrën më transparente më të përgjegjshme pasi është një çështje në interes publik, është një çështje në interes kombëtar, por padyshim që është edhe një çështje që ka kontributin e vet në gjithë rolin dhe angazhimin e Shqipërisë si një vend që punon për fqinjësi të mirë, për stabilitet dhe për bashkëpunim rajonal”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?