Procesi zgjedhor, KQZ rekruton 338 punonjës me kohë të pjesshme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të rekrutojë të paktën 338 punonjës shtesë që do të angazhohen në organizimin e procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.
Vendimi pritet të miratohet në mbledhjen e sotme, i cili vjen në këtë kuadër të detyrimeve ligjore që ka KQZ-ja, lidhur me organizimin, administrimin dhe kontrollin e procesit zgjedhor, për zgjedhjet për Kuvend, referuar nenit 21, pika 21 të Kodit Zgjedhor, duhet të miratohen shtesa në organikën e KQZ-së.
Këto shtesa, sqaron KQZ-ja në relacionin bashkëngjitur projektvendimit, përfshijnë punonjës të kategorive të ndryshme, të cilët do të punësohen me kohë jo të plotë.
“Personeli me kohë jo të plotë pune do të rekrutohen dhe do të punojnë vetëm për periudhën e përgatitjes zgjedhjeve, deri në përfundimin e të gjitha detyrimeve ligjore, që ka në të gjitha strukturat e Administratës së KQZ-së”- thuhet në relacion.
Punonjësit mbështetës që do të merren me kohë jo të plotë, do të kenë të përcaktuar gjithashtu edhe strukturën e pagave të tyre, mbështetur në aktet ligjore dhe nënligjore të nxjerra nga Këshilli i Ministrave, për pagat e nëpunësve dhe punonjësve mbështetës të disa institucioneve buxhetore.
Drejtoritë e Administratës së KQZ-së kanë paraqitur propozimet për nevojat që kanë për Zgjedhjet e Kuvendit 2017, të cilat përgjithësisht janë si në zgjedhje të mëparshme.
Drejtoria e Burimeve Njerëzore ka bërë sistemimin dhe rakordimet e propozimeve të drejtorive dhe i ka renditur në një material.
“Në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 18 Qershor 2017, do të punësohen gjithsej 338 punonjës, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2013 u punësuan 385 punonjësdhe në zgjedhjet vendore të vitit 2015 u punësuan 335punonjës”- thekson KQZ-ja në projektvendimin e saj.
Në këtë shtesë të organikës, parashikohet që çdo anëtar i KQZ-së do të kenë nga një sekretar, të cilët do të punojnë për një periudhë kohore prej 6 muajsh deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, dhe do të kenë një pagë prej 59 mijë lekësh të reja.
Më pas, në listën e punonjësve, rezultojnë se në Drejtorinë e komisioneve zgjedhore, trajnimit dhe edukimit të zgjedhësve do të angazhohen 63 punonjës me kohë të pjesshme.
Në Drejtorinë e Shërbimeve dhe Logjistikës do të angazhohen 128 punonjës.
Në Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit do të angazhohen gjithsej 78 punonjës; në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore do të angazhohen 33 punonjës; në Drejtorinë Juridike do të punësohen me kohë të pjesshme 9 punonjës; në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë do të punësohen 3 punonjës; në Drejtorinë e Financës do të punësohen 2 specialistë; në Zyrën e Shtypit do të punësohen 3 specialistë; ndërsa ndihmës inspektorë do të punësohen 12 persona që do të kenë një shpërblim prej 30 mijë lekësh të reja për 2 muaj. / H. Mesi
KOHA JONË SONDAZH

