“Prokuroria e mbylli hetimin sepse Edi Rama kërkoi falje në Facebook”
Lëvizja Socialiste për Integrim ka ridepozituar një padi ndaj kreut të qeverisë, Edi Rama për thirrjet antikushtetuese që bëri gjatë fushatës elektorale, ku kërkoi mbështetjen e Policisë së Shtetit për Partinë Socialiste.
Vendimi i LSI u bë publik dje nga kryetari i deputetëve, Petrit Vasilit në një konferencë për mediat. Vasili tha se padia ndaj kryeministrit Rama, i cili bëri thirrje publikisht policisë gjatë fushatës, është ridepozituar pasi çështja u mbyll nga prokuroria vetëm me faljen që Rama kërkoi në Facebook. Vasili tha se Prokuroria e mbylli dy javët e fundit këtë çështje, pasi sipas saj, Kryeministri kishte kërkuat falje në Facebook.
“Pse e kemi ridepozituar dhe pse kjo padi sot është depozituar në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe në Gjykatën e Lartë? Për një arsye të thjesht. Po e ndaj me publikun. Pasi Prokuroria në kohë rekord brenda dy-tre javësh e shqyrtoi çështjen. Prokurori që nuk shqyrton çështjen me vite të caktuara, që nuk çon deri në fund hetimet për aferat kriminale të ish-ministrave, pra në dy javë e më pak, e mbylli. Këtu kam vendimin përgjigjen, për mbylljen e çështjes nga prokuroria. Të cilën ne e kemi ridepozituar sot. Këtë padi po e ridepozitojmë sërish dhe po e ndajmë me publikun se në çfarë pozicioni qesharak bëhet Prokuroria kur kapet, dhe kjo është prokuroria që do të kapi Edi Rama. Pasi prokuroria thotë që lidhur me deklaratën e kryeministrit, i referohet për ta shfajësuar dhe për të mbyllur çështjen, faljes që kryeministri kërkon në Facebook”,- tha Petrit Vasili.
Vasili tha se sipas kësaj logjike kur një kriminel kërkon falje në rrjetet sociale prokuroria mund të mos vijojë me hetimet. “Sipas kësaj Drejtësie, drejtësisë të Edi Ramës, një kriminel mund të vrasë e të kërkojë ndjesë dhe të mos vejë në burg. Një hajdut mundet që të vjedhë një pronë e të kërkojë ndjesë në Facebook apo në Tëitter çfarë të disponojë dhe të mos dënohet. Apo dikush tjetër të shkeli rregullat e qarkullimit rrugor dhe përsëri të kërkojë ndjesë dhe të mos dënohet. Dikush tjetër mund të bëjë dhunimin e një personi, të një gruaje dhe të kërkojë prapë ndjesë dhe të mos dënohet. Ky është standardi që vendoset me këtë që i është bërë Edi Ramës për të mbyllur çështjen”,- tha Petrit Vasili.
KOHA JONË SONDAZH

