PS do vaksinojë të pasurit para të varfërve
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se do të shqyrtojë propozimin për vaksinimin para radhe të sipërmarrësve (të pasurve). Deklarata u bë në Durrës, pas propozimit që i bëri kryeministrit biznesmeni dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të PS, Luan Bregasi.
Bregasi tha se duhen vaksinuar stafet e shërbimeve të hotelerisë, si dhe biznesmët që kanë më shumë të ardhura dhe të punësuar në vend. “Mbase mendohet dhe për sipërmarrësit që janë mbi 65 -vjeç. Më tha një sipërmarrës, “më tha një miku im hajde të regjistroj roje në spital të bësh vaksinën.Vetëm se më vinte turp tha nuk shkova”. Mund të mendohet dhe për sipërmarrjet, se po vdiq një sipërmarrës vdes sipërmarrja e tij”, tha biznesmeni Luan Bregasi.
Kryeministri tha se ideja e vaksinimit të stafeve të hoteleve dhe biznesmenëve do të shihet me dashamirësi. “Nuk e kisha çuar nëpër mend këtë idenë e vaksinimit të stafeve të hoteleve, në pamje të parë tingëllon interesante kështu që me shumë dëshirë e me shumë seriozitet do e vlerësojmë e do shohim nëse mund të bëhet e kombinuar me ofertën pra nëse fjala vjen një hotel ka një marrëdhënie me Izraelin ku tanimë është kthyer një përqindje e jashtëzakoshme e vaksinimit të popullatës e ata kanë filluar të marrin ato pasaportat e gjelbërta, pashë pardje që kishin nisur të bënin marrëveshjet me hotelet në Maltë për grupet e tyre, atëherë kjo mund të jenë incentiva që ne të mund të bëjmë diçka në këtë drejtim. S’po e premtoj se është thjesht një ide që tani e dëgjova e këtu po e flasim por ta studiojmë mirë e ta shohim me shumë dashamirësi”,- tha kreu i qeverisë.
Nëse propozimi do të miratohet nga qeveria, ky do të ishte rasti i parë në botë ku vaksinimi nuk do të kryhet sipas rekomandimeve mjekësore, por sipas llogarive bankare.
KOHA JONË SONDAZH

