Qeveria ”hap thesin”, Xhaçka: Ja sa do shpërblehen ushtarakët dhe policët
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, në një konferencë për shtyp, njoftoi se repartet e Forcave te Armatosura, FNSH dhe forcat RENEA, do të shpërblehen financiarisht për punën e suksseshme të bërë gjatë situatës së përmbytjeve në këtë prag të Vitit të Ri. “Prej vitit 2004, nuk është marrë asnjë vendim për t’i shpërblyer ato djem e vajza që i kanë shërbyer më së miri vendit, dhe kjo s’duhet të ndodhë më”,-tha Xhaçka.
Në vijim ministrja e Mbrojtjes, tha se do të sigurohet fondi 63.3 mln lekë, si shenjë mirënjohje për të gjithë ata efektivë që u përfshinë në emergjencën e përmbytjeve,dhe sidomos ato që ishin në vijën e parë për shpëtimin e qytetarëve
“Siguroj efektivët në uniformë, se jemi krenarë për ta dhe do bëjmë ç’është e mundur për t’i shpërbyler moralisht e financiarisht. Ky është vetëm fillimi i paketës së shpërblimeve,” tha ajo. Fondi total prej 63 mln e 290 mijë lekësh për dy kategoritë do të jetë: 2917 efektivë FA dhe 330 efektivë të policisë së shtetit.
Deklarata e plotë e Ministres së Mbrojtjes:
Këshilli i Ministrave u akordoi sot, 2917 punonjësve të Forcave të Armatosura si dhe 330 punonjësve të Policisë së Shtetit, repartit special RENEA dhe të reparteve të FNSH-së, shpërblimin financiar për angazhimin në operacione të shumta për përballimin e gjendjes se krijuar në vend, si pasoje e rreshjeve dhe prurjeve të jashtëzakonshme të cilat sollën dëme dhe kërcënuan jetë njerëzish.
Forcat e Armatosura kanë qenë kurdohere të parat, aty ku më shumë ka patur nevojë për ta. Por që prej vitit 2004 për efektivët në uniformë nuk është ndërrmarrë asnjë trajtim i vecantë.
Me vendimin e sotëm, fondi prej 63 290 000 lekë do të shpërndahet në shenjë mirënjohjeje, për të gjithë ata, që u përfshinë në operacionin e jashtezakonshem përmes të cilit shteti përballoi një emergjencë të rrezikshme, dhe në veçanti për ata efektivë që ishin në vijën e parë të shpëtimit të jetëve.
Në emër të efektivëve të Forcave të Armatosura i shpreh vlerësimin tim Kryeministrit dhe Qeverisë Shqiptare, për vendimin e marrë sot, si edhe për zotimin publik, se viti 2018 do të jetë viti i fundit, i hendekut të pajustifikuar të shpërblimit financiar, mes Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit.
Në emër të Qeverisë Shqiptare siguroj efektivët në uniformë, se jo vetëm jemi krenarë për vajzat dhe djemtë tanë për kontributin e tyre në sherbim të vendit e qytetarëve, por do të bëjmë ç’është e mundur për t’i shpërblyer moralisht dhe financiarisht për punen e sakrificën e tyre.
Jemi të ndërgjegjshëm, se shpërblimi i miratuar sot nuk është mjaftueshëm për sa meritojnë ushtarakët tanë, por është tregues i qartë i qasjes edhe më serioze të Qeverisë Shqiptare, ndaj Forcave të Armatosura, këtej e tutje.
Ky shpërblim sot është vetëm fillimi i paketës së rritjes së trajtimin financiar të nisur në Mars të këtij viti nga Qeveria jonë, e që do të vazhdojë po ashtu me një tjetër rishikim të rëndësishëm për vitin 2019, vetëm për pagat e ushtarakëve shqiptare.
Përmes reformave të ndërrmarra, për forcimin e shtetit, rritjen e të ardhurave, dhe stabilitetit makro-ekonomik, do të jemi në gjendje të shlyejmë një borxh të madh moral, të akumuluar dhe të padrejtë ndaj të gjitha Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për kontributin e jashtëzakonshëm, shpesh larg vëmendjes së opinionit publik, por aq shumë të vleresuar nga:
aleatet tanë në misionet e mbrojtjes kolektive në operacionet e NATO-s në Afganistan, Kosovë, Letoni, Mali apo Bosnjë – Hercegovinë, në çdo perpjekje për mbrojten e lirisë e vlerave të familjes së madhe të vendeve demokratike pjesë e Aleancës, e së fundmi, edhe për kontributin vetëmohues ndaj komunitetit e qytetarëve shqiptarë në ditët më të vështira.
Personeli i angazhuar në Ministrinë e Mbrojtes do të shpërblehet si më poshtë:
298 Forca të armatosura, në shumën 14,900,000 lekë (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind lekë)
1 560 Forca të armatosura, në shumën 31,200,000 lekë (tridhjetë e një milion e dyqind mijë lekë)
1 059 Forca të armatosura, në shumën 10,590,000 lekë (dhjetë milion e pesëqind e nëntëdhjetë mijë lekë)
Shpërblimi i punjosve të angazhuar në strukturat e Policisë së Shtetit do të bëhet në masën 20,000 lekë/punonjës, për 330 punonjës dhe konkretisht:
Për Repartin Special “Renea” dhe Repartet e FNSH-ve Tirane, Fier dhe Shkodër, 70 punonjës;
për drejtorinë vendore të policisë Fier, 60 punonjës;
për drejtorinë vendore të policisë Durrës, 30 punonjës;
për drejtorinë vendore të policisë Tirane, 30 punonjës;
për drejtorinë vendore të policisë Vlorë, 70 punonjës dhe,
për drejtorinë vendore të të Kufirit Migracionit Vlorë dhe Repartin “Delta Force, 70 punonjës.
KOHA JONË SONDAZH

