Rama mban premtimin, dërgon në Kuvend ligjin për lojërat e fatit
Kryeministri Edi Rama ka miratuar ndryshimet në ligjin për lojërat e fatit, të cilat i hapin rrugën mbylljes të gjithë basteve sportive në territorin e Republikës.
Kreu i qeverisë ka postuar në Facebook, faksimile të projektligjit të Qeverisë, i cili pritet të nis diskutimet në Parlament. Sipas ndryshimeve në ligj, nga data 31 dhjetor 2018 nuk do të lejohet më asnjë aktivitet që ka të bëjë me bastet sportive, ndërsa kazinotë vetëm në zona të rezervuara turistike në hotelet me 5 yje.
“Beso dhe kontrollo! U nisën për parlament ligji për ndalimin në 31 dhjetor të basteve e kazinove elektronike dhe ligji për kufizimin maksimal të kontakteve të të dënuarve për krim të organizuar me botën brenda e jashtë burgut po e po. E Gjithë Vëmendja për Ju“,- shkruan Edi Rama në Facebook.
Nisma e qeverisë është përkrahur në opinion, si një vendim që do të sjellë eliminimin e një prej fenomeneve më negative të shoqërisë. Tashmë pritet të shihet se sa qeveria dhe institucionet e tjera do të jenë në gjendje të zbatojnë vendimin e Parlamentit.
Një tjetër faksimile që Edi Rama ka postuar në Facebook është dhe ajo për forcimin e rregullave të kontrollit për të dënuarit për krim të organizuar dhe terrorizëm.

P R O J E K T L I GJ PËR NJË SHTESË DHE NDRYSHIM NË LIGJIN NR.155/2015, “PËR LOJËRAT E FATIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Në nenin nr.71, “Dispozita kalimtare”, të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen shtesa dhe ndryshimi, si më poshtë vijon:
- Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2.1. Organizatorët e kategorive “Baste sportive” dhe “Baste për garat në pistë” do të ushtrojnë aktivitetin e tyre deri në datën 31 dhjetor 2018.
Të gjitha aplikimet për pajisjen me licencë për kategoritë e sipërpërmendura, në proces shqyrtimi, ndërpriten.”.
- Në pikën 3, fjala “… të kategorive …” zëvendësohet me “…të kategorisë…”, ndërsa fjalët “…“Basteve sportive”…” dhe “…“Baste për garat në pistë”…” hiqen.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I, GRAMOZ RUÇI
###
V E N D I M PËR PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË SHTESË DHE NDRYSHIM NË LIGJIN NR.155/2015, “PËR LOJËRAT E FATIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: Propozimin e projektligjit “Për një shtesë dhe ndryshim në ligjin nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I EDI RAMA

Ligji ekzistues
V E N D I M PËR PEZULLIMIN E PËRKOHSHËM TË VEPRIMTARISË SË AUTORITETIT TË MBIKËQYRJES SË LOJËRAVE TË FATIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Pezullimin e përkohshëm të veprimtarisë, në fushën e lojërave të fatit, të Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF), deri në ristrukturimin e këtij institucioni.
- Ngarkohet ministri i Financave dhe Ekonomisë, si organi epror, të nxjerrë aktet e nevojshme për ristrukturimin e AMLF-së, si dhe të ndjekë zbatimin e këtij procesi.
- Ngarkohet ministri i Financave dhe Ekonomisë, të përcaktojë aktivitetet konkrete që do të vijojë të kryejë AMLF-ja, për mbikëqyrjen e veprimtarisë së lojërave të fatit, gjatë periudhës së përkohshme të pezullimit.
- Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KOHA JONË SONDAZH

