Rama në Berat: S’ka më rradhë për shërbimet
Në ditën e dytë të mbledhjes së qeverisë në Berat, Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e me një takim me drejtues të administratës qendrore dhe vendore të Beratit. Në këtë takim, kryeministri ka folur mbi shërbimet administrative për qytetarët, reformën e ujit dhe për skemën e re të mbështetjes financiare për fermerët.
“Kemi bërë të qartë për të gjitha agjencitë e shërbimeve ndaj qytetarëve se çdo dokument çfarëdo është absolutisht detyrim i çdo zyre që të mos e refuzojë apo vonojë duke kërkuar nga qytetarët që të shkojnë në zyra të tjera për dokumentet përkatëse, për kërkesat e tyre. Autorizimet, licenca, certifikatat e caktuara që vërtetojnë këtë apo atë, duhen edhe disa dokumente të tjera, këto duhet t’i garantojë vet zyra përkatëse brenda për brenda sistemit të administratës shtetërore. Qytetarët duhet të marrin vetëm dokumente bankare apo në lidhje me të shkuarën e tyre në emigracion. Kjo nuk po kthehet ende në një sistem në të gjithë vendin, ndaj në mbledhjen e djeshme të qeverisë është kërkuar të merren masa për këtë”, tha Rama.
“Së dyti kemi një progres të konsiderueshëm sa i përket gatishmërisë së shtetit dhe administratës për të ofruar shërbime dixhitale, online. Sot garantohet jo vetëm komunikimi në kohë reale, por edhe përgjigjja në kohë reale për qytetarët. Janë shumë dokumente që mund të merren drejtpërdrejt nga shtëpia, duke filluar nga certifikata e lindjes. Duke bërë kështu të mundur një ulje të kostos, por edhe rritjen e mëtejshme të numrit të qytetarëve që mësojnë njëherë e mirë se nuk ka më nevojë të torturohen për certifikata. Po kështu edhe vërtetimet e tatimeve mund të merren online nga sistemi i “e-albania”-s, që u kanë kursyer të interesuarve shumë orë pritjeje”, shtoi më tej kryeministri.
KOHA JONË SONDAZH

