Rama sfidon Gjoshën: Nëse Balla ka qenë në polici, votoj për arrestimin e tij
Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, ka komentuar letrën që deputetët e opozitës i drejtuan kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, ku i kërkonin largimin e Taulant Ballës nga delegacioni i Stabilizim Asociimit.
Rama ju drejtua deputetes së LSI-së, Klajda Gjosha dhe e ftoi ish-ministren e Integrimit që t’i drejtohej Policisë së Shtetit për të parë kamerat e komisariatit të Krujës dhe për të verifikuar nëse Balla ka qenë ose jo aty ditën e ngjarjes.
”Nëse është e vërtetë”, Rama tha se ai do të votonte për arrestimin e Taulant Ballës por në të kundërt, Gjosha duhet t’i drejtohej Parlamentit Europian me një letër ndjese. Për Klajda Gjoshën, Rama tha se u nda me përshtypjet më të mira.
Deklarata e Ramës
”E dashur Klajda qetësohu. Taulanti është ai që ka qenë kur bashkëpunoje me të si drejtues i delegacionit. Ai nuk e ka bërë kurrë atë që e ka tronditur kaq shumë Monikën dhe për pasojë dhe ty sa të bashkosh zërin në atë kujë drejtuar Parlamentit Europian. Materialet filmike të komisariatit të Krujës në ditën e ngjarjes denoncuar nga heroi i Babale 2-it janë në prokurori.
Po si deputete thellësisht e shqetësuar nga mundësia e qëndrimit në një delegacion me një kriminel të armatosur dhe të maskuar si kryetar delegacioni t’i mund t’i drejtohesh policisë me kërkesën për t’i parë ato materiale. Shko shikoi vetë nga fillimi në fund filmimet e videos së komisariatit. Nëse do gjesh gjëkundi në ato filmime Taulant Ballën apo qoftë dhe vetë heroin të cilin Taulanti e paska kërcënuar me pistoletë në kokë, unë do të votoj bashkë me ty jo për të hequr Taulantin nga drejtimi i delegacionit për Bruksel por për t’i hapur rrugë arrestimit të tij pasi ta kem kallëzuar po unë dhe ti në prokurori.
Të jap fjalën publikisht për atë por ama edhe ti nga ana jote, po s’gjete as Taulant, as oficer policie, as deputet, as kryetar bashkie që të ketë kapërcyer pragun e komisariatit në filmimet e gjithë asaj dite që përshkuan heroi i Babale 2-it do ja shkruash besoj një letër ndjese Parlamentit Evropian pavarësisht se Monika do të thotë, Klajda mos e bëj”, u shpreh kryeministri Edi Rama.
KOHA JONË SONDAZH

