Ruçi: Votimi elektronik, i pamundur
Në seancën e parë plenare për këtë sesion të ri pas pushimeve të fundvitit, kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, deklaroi se garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë kusht i patjetërsueshëm për PD. Ndërkohë kreu i grupit parlamnetar të PS, Gramoz Ruçi tha se votimi elektronik është i pamundur për shkak të afateve kohore.
Kushtet për zgjedhjet, kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi i cilësoi tejet të vonuara. Ai pyeti PD: Ku keni qenë keto tre vite e gjysëm?
Fjala në seancën e sotme e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi:
Do të ishte mirë që të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare të bënim sot një bilanc të sesionit të kaluar, ashtu sikur se të caktonim dhe piketat e këtij sesioni që sapo ka nisur. Megjithatë, kjo nuk u bë dhe nuk është bërë asnjëherë në një sesion parlamentar të kësaj legjislature. Meqë u trajtua problemi i një kushti të opozitës, unë sigurisht nuk mund ta lë pa përgjigje. Kolegë të opozitës, është shumë e drejtë që ju më së fundi, pas 4 vjetësh, u kujtuat për një problem që duhet të ishit kujtuar që ditën e parë. Unë nga gjithë ligjërata juaj, jam dakord me atë që ju e nisët: nuk ka problem më të madh për opozitën sesa përgatitja e infrastrukturës së zgjedhjeve, qofshin këto në afatin e caktuar kushtetues apo qoftë dhe në zgjedhje të parakohshme.
Natyrshëm, çdokush do të shtronte pyetjen: “Zotëri, ku ishit këto 3 vjet e gjysmë, pikërisht për këtë çështje kaq madhore siç e quani ju?!” Unë dhe njëherë tjetër ua kam drejtuar këtë pyetje dhe ju u kujtuat vetëm tashmë që mbyllëm një sesion dhe filluam sesionit e fundit, sesion i cili nuk është më gjatë se 4 muaj. Ju e dini shumë mirë, se e kemi ngritur bashkë këtë komision; dhe e dini shumë mirë se ndryshimet thelbësore në kodin elektoral duhen bërë 6 muaj përpara datës së zgjedhjeve. Me pak fjalë, ju nuk doni ndryshime, nuk keni dashur ndryshime dhe nuk keni pasur vullnetin politik për ndryshime. Këtë e kërkoni si alibi sot, gjasme jeni të interesuar. Megjithatë, unë do të thoja: Ju keni të drejtë të mos kërkoni! E kushdo mund të ketë të drejtë në këtë sallë, por ju jo. Pse? Zgjedhjet kanë disa elementë të rëndësishëm që fillojnë me infrastrukturën e zgjedhjeve, kjo e vendosur në Kodin Elektoral, e këtë kod elektoral e keni bërë juve, sigurisht, me dakordësinë tonë. Atëherë, ju nuk jeni dakord me veten tuaj?!
Në qoftë se jo, pse?! Së dyti, ky kod është verifikuar në zgjedhje dhe ata që na kanë parë këto zgjedhje, i kanë monitoruar këto zgjedhje, kanë arritur në disa përfundime dhe nuk e kanë hedhur poshtë kodin. As sistemin! Kanë thënë që ne të bëjmë disa përmirësime në kod, siç është depolitizomi i komisioneve. Ne kemi thënë ‘dakord’! Ju nuk jeni dakord! Propozimet tona i keni patur në tavolinë. E dyta, financimi i partive politike,- dhe ne jua kemi propozuar, – përsëri ju nuk keni vullnet për të ndryshuar ligjin e financimit për partitë politike. E treta, blerja e votës. E katërta, transparenca e reklamave të partive politike në media. Të gjitha këto jua kemi propozuar. Në një seancë të mëparshme, unë gjithashtu kam kërkuar që të sillni propozimet tuaja dhe ndryshime në kod, pa ju nuk bëjmë. Flasim për komisionet tani. Fillojmë me KQZ. Lamë pothuajse të njëjtin komision, siç e kishit lënë ju, madje u treguam shumë luajal. Kryetaren për komisionin, që e propozuat ju, nuk e përjashtuam nga kandidimi për KQZ. A ka mazhorancë që të lërë kandidaturën që propozuat ju?! Dhe jeni ju ata që e eliminuat! Dhe këtu nuk keni besim?! As te OSBE-ODHIR nuk keni besim?!
Te kandidatura juaj nuk keni besim?! Tani flasim për ZAZ dhe KQV. Në 50% të tyre ju keni mazhorancën. Në 50% të tyre keni 3 veta. Në të gjitha komisionet e numërimit po ashtu. Pra, tek të gjithë nuk keni besim ju?! Pse të tjerët duhet të kenë besim tek ju? Pse ne duhet të kemi besim tek ju? Kur ju nuk keni besim tek tuajët, pse ne duhet të kemi besim tek ju?! Ata që po na ndjekin tani, pse duhet të kenë besim tek ju dhe tek ne?! Vazhdojmë më tej, listat e zgjedhësve. Do të procedojmë sipas atij programi që kishit vendosur ju. Çfarë ka ndryshuar në këto lista? Do të pastrohen listat nga ata që kanë vdekur këto 4 vjet dhe do të shtohen 127.000 votues për herë të parë. Çfarë ka ndryshuar tjeter? Kartën e ID ju e keni prodhuar, ju e keni zgjedhur kompaninë, dhe këtu nuk keni besim?! E fundit, Kolegji Zgjedhor. I keni bërë Gjykatat e Apelit siç deshët.
As te Gjin Gjoni nuk keni besim ju?! Po do ta humbisni dhe si votues! Çfarë t’ju themi tjetër? Na dolët 3 muaj përpara dhe u kujtuat për votimin elektronik. Kush e ka votimin elektronik? Jua them unë! E ka patur Hollanda dhe e ka hequr me vendim kushtetues. Nga 9 qendra, 8 ishin me probleme madhore. E ka patur Gjermania, e ka hequr, Franca po ashtu. E ka Zvicra në zonat urbane, nuk e ka në zonat rurale. E ka SHBA në gjysmat e shteteve, e në gjysmat nuk e ka. Edhe aty ku e ka, e dini se sa probleme ka patur?! Ne me 2 muaj do të bëjmë votim elektronik? Megjithatë, për ne si mazhorancë nuk ka problem fare për këtë çështje. Ne jemi përsëri të hapur. Zotërinj, ja ku jemi. Kryetarin e Parlamentit e keni këtu. Përfaqësuesin tuaj e keni.
Kryesia e Parlamentit të thërrasë ekspertët e OSBE-ODHIR, që i kemi pranuar të dy palët, dhe t’u kërkojmë mendim për këtë propozim tuajin. Në qoftë se ata japin konfirmimin dhe marrin të gjithë përgjegjësinë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri, ne si mazhorancë do të jemi plotësisht dakord. Në qoftë se ata japin “OK” për propozimin tuaj, vetëm atëherë do të jemi dakord. Përndryshe, kjo është vetëm një alibi, që vetëm ju mund ta dini.
KOHA JONË SONDAZH

