Si u paralajmërua largimi i prokurorëve të çështjes “Habilaj” 9 muaj më parë, para se të zgjidhej Arta Marku
Duket si profetike, por jo, ajo ishte thjesht një bindje dhe nuhatje politike! Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi në një mbledhje të Komisionit të Ligjeve i cili sapo kishte nisur debatin për zëvendësimin e Adriatik Llallës në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, do të paralajmëronte atë çfarë ndodhi tre ditët e fundit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku ndaj 10 prokurorëve të cilët kanë në duar dosje “të nxehta” papritur merret vendim për masë disiplinore, duke tentuar pezullimin e tyre nga detyra.
Përmes një videoje nga mbledhja e 7 dhjetorit 2017, kur ende nuk ishte hedhur në “tregun” publik emri i Arta Markut, Bylykbashi paralajmëronte se kjo nismë për ta zëvendësuar Llallën me një pasardhës të “Përkohshëm” ishte e qëllimshme nga ana e qeverisë dhe kryeministrit Rama për të mbyllur dosjet që sipas PD-së, vërtetojnë kapjen e qeverisë nga krimi. Dhe sot, pas 9 muajsh, Bylykbashi deklaron se kjo nuk është më një hamëndësim, por provë.
“Ja ku është parashikimi para 9 muajsh (7 dhjetor 2017) kur PS propozonte shkeljen e Kushtetutës dhe ende nuk kishin dalë emrat e kadidatëve për prokuror të përkohshëm, që Arta Marku apo një “artamark” tjetër po emërohej Prokurore e Përgjithshme e “Përkohshme” që të mbyllte dosjet që i digjnin Kryeministrit, duke pezulluar prokurorët që po hetonin. Përkohshmëria e saj do të zgjasë deri sa të mbyllë hesapet Rama. Sot nuk është hamendësim, por provë”- shkruan Bylykbashi , duke e shoqëruar komentin e tij me videon e mbledhjes së Komisionit të Ligjeve.
Videoja e mbledhjes
Në këtë mbledhje, Bylykbashi, në cilësinë e bashkëkryetarit të Komisionit të atëhershëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, do të paralajmëronte situatën që po kalon sot Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku ashtu si dhe para 9 muajsh, për deputetin demokrat, kjo lëvizje bëhet me qëllimin për të liruar bandën e “Habilajve” dhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i cili, për PD-në, është pjesëtar i kësaj bande kriminale.
“Dëgjova kolegët këtu, në një përpjekje piruetë për të thënë se: “Prokurori i Përgjithshëm ka çelësat e kashtës në dorë dhe prokurori i çështjes është “Mbreti”! Por ky prokurori i përgjithshëm që do të zgjedhim sot ne ka të drejtë të pezullojë prokurorët, pra ata (prokurorë) që mbrojnë çështjen, Habiljat e me të gjithë ata që janë brenda. I pezullon dhe pikë! Dy opsione ka prokurori i çështjes, ky “Mbreti” i çështjes që thonë këta (socialistët): ose konfirmohet me këtë kryeprokurorin e përkohshëm të Përgjithshëm, ose e ka të qartë se çfarë do të ndodhë – I nis një procedim disiplinor dhe më pas ai pezullohet. Pra, ikën nga ajo çështje dhe do të vijë një prokuror tjetër që do ta bëjë si ti dojë mideja Kryeministrit çështjen “Habilaj”, çështjes tjetër me radhë dhe do ta zgjasi. Nder më të madh që mund ti bësh një krimineli, duke filluar nga ata të dosjes “Habilaj” me të gjithë nivelet deri nga ato politike, përfshirë dhe Saimir Tahirin brenda, është ta bësh hetimin keq, ta bësh të mangët dhe të gjesh një prokuror “mbret” të asaj çështjeje që do ta bëjë të tillë hetimin”- deklaronte deputeti demokrat Oerd Bylykbashi 9 muaj më parë, kohë që ende emri i Arta Markut nuk kishte dalë akoma si propozim për Kryeprokurore. / H.Mesi
https://www.facebook.com/oerd.bylykbashi/videos/10217319933539807/
KOHA JONË SONDAZH

