Situata kriminale/Ambasadori italian: Kemi shenja të qarta se…
Rendi publik është cënuar nga ngjarjet e fundit të bandave. Krimi është rritur ndjeshëm dhe policia në disa raste ka treguar paaftësi, ashtu siç ndodhi në Elbasan, ku Drejtoria e Policisë u shkri dhe u shkarkuan 12 Kryepolicët. Mbi këtë situatë, Ambasadori italian në vendin, Alberto Cutillo është shprehur se partnerët ndërkombëtarë kanë besim tek qeveria shqiptare në luftën e saj kundër krimit të organizuar dhe narkotrafikut.
Cutillo gjatë një interviste për emisionin “Diplomaticus” në televizionin News 24. Shefi i diplomacisë italiane u ndal në situatën e rendit dhe të sigurisë, veçanërisht pas çështjes Tahiri, ku theksoi besimin e Italisë dhe partnerëve ndërkombëtarë tek qeveria. Sipas Cutillos, rezultatet e deritanishme janë shenjë e qartë se kjo qeveri do të luftojë krimin.
“Çështja e krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, është një nga pikat ku është përqendruar vëmendja, jo vetëm e Brukselit, por edhe e vendeve anëtare, që kanë shqetësimin se krimi i organizuar mund të mbërrijë tek ata, prandaj vendosin pengesa ose kushte për hapjen e negociatave. Mendoj se është e drejtë. Kemi shenja të qarta se kjo qeveri do të luftojë krimin. Kemi rezultate domethënëse, por duhet bërë më shumë. Muajt e ardhshëm mund të jenë jetikë. Por dua të theksoj diçka. Për Italinë kjo përbën prioritet ashtu si edhe për Shqipërinë” deklaroi ambasadori Italian në vendin tonë.
Në të njëjtën kohë ambasadori Cutillo shtoi se muajt e ardhshëm do të jenë jetikë për fatet e vendit në lidhje me hapjen e negociatave. Megjithatë ai shprehu besimin se zbatimi i vettingut dhe reformës në drejtësi do t’i hapë Shqipërisë dyert e BE-së.
“Muajt e ardhshëm do të jenë shumë të rëndësishëm për nisjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Shqipëria duhet të tregojë se mund të arrijë rezultate konkrete, në të gjitha fushat ku është e angazhuar dhe do të veçoja luftën ndaj krimit të organizuar, duke qenë kjo një temë shumë delikate për shumë vende evropiane, luftën ndaj korrupsionit, si dhe duhet të tregojë se reforma e drejtësisë, nga letrat ku është shkruar të transferohet në sallat e gjykatave. Kjo besoj se është sfida e vetting-ut që Shqipëria ka ende përpara” deklaroi ambasadori
KOHA JONË SONDAZH

