Takimi me kandidatët dhe 83 deputetët, Rama: Do bëjmë lëvizje në udhëheqjen e partisë dhe në qeveri

Kryesocialisti Edi Rama ka paralajmëruar lëvizje në udhëheqjen e Partisë Socialiste dhe në qeveri. Fjalën po e mban në Pallatin e Brigadave, me ekipin e deputetëve dhe kandidatëve të 11 Majit.
“Kemi garantuar drejtësinë, forcuar sigurinë, rritur reputacionin dhe kemi bërë histori me vendin tonë brenda kësaj dekade. Kemi mësuar se për t’i arritur këto suksese, duhet një punë e madhe me veten.
Duhet ta nisim nga vetja për të ndarë mendjen si duhet mbi disa gjëra që duhen parë ndryshe, dhe duhet të bëjmë disa gjëra ndryshe.
Duhet që të bëjmë disa lëvizje në udhëheqjen e partisë dhe në qeveri. Na duhet një mirëkuptim i plotë mes nesh dhe me familjen tonë europiane, sepse do ta përdorim fuqinë e mandatit të katërt”,-tha Rama.
Rama theksoi se opozita refuzon të pranojë realitetin dhe faktet, duke i quajtur ata “humbës kronikë”.
“Ata janë futur prej vitesh në spiralen e një lufte absurde me faktet dhe jetojnë në një realitet paralel ku Shqipëria që përparon është thjesht propagandë, shumica e shqiptarëve janë të blerë, kurse pothuajse të gjithë ndërkombëtarët janë të shitur,” u shpreh Rama.
Sipas tij, opozita ka ndërtuar një narrativë të çuditshme ku çdo zhvillim shihet si i orkestruar nga krimi dhe financuar nga trafiku i drogës, ndërsa çdo fitore zgjedhore e Partisë Socialiste etiketohet si e manipuluar.
“Sa më i madh të bëhet hendeku i votave mes tyre dhe nesh, aq më i madh bëhet universi i tyre paralel,” shtoi ai, duke ironizuar pretendimet për manipulime elektorale, “thasë resh të zeza”, “trena bullgarë” dhe “vargmale me kanabis që lulëzojnë me bekimin e partisë-shtet”.
Edi Rama: Të tjerë nuk duan ta pranojnë realitetin e fakteve. Kjo i ka bërë ata humbës kronikë ndërsa Shqipërinë e ka lënë pa një alternativë sfiduese të PS.
Ata janë futur prej vitesh në spiralen e një lufte absurde me faktet dhe jetojnë në një realitet paralel ku Shqipëria që përparon është thjesht propagandë, shumica e shqiptarëve janë të blerë, kurse pothuajse të gjithë ndërkombëtarët janë të shitur. Vendin e drejton krimi ndërsa zhvillimin e financon droga, zgjedhjet i fitojnë ata gjithnjë e më thellë ndërsa ne i vjedhim gjithnjë e më shumë.
Sa më i madh të bëhet hendeku i votave mes tyre dhe nesh, aq më i madh bëhet universi i tyre paralel. Këto ditë ky univers është mbushur me thasë resh të zeza që derdhin ngado shiun e votave të vjedhura, trena bullgarë, vargmale me kanabis që lulëzojnë me bekimin e partisë-shtet.