Takimi me Kotzias, Shehu – Bushatit: A u kalua vetëm një fund-javë e këndshme?!
Ish-ministri i Jashtëm, tashmë deputet i Partisë Demokratike, Tritan Shehu edhe gjatë ditës së sotme shpreh shqetësimin e tij mbi mungesën e transparencës së bisedimeve tre-ditore në Korçë mes kreut të diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati dhe homologut të tij grek, Nikos Kotzias.
Përmes një reagimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Tritan Shehu shpreh shqetësimin se të vetmet informacione nga takimi ishin menuja e servirur nga hoteli për dy kryediplomatët, dhe asgjë mbi çështje konkrete, apo vendime që mund të jenë firmosur.
“Në vijim të postimit të djeshëm për takimin e Korçës.
Nuk do ta bëja këtë postim të ri, mendoj se aq sa kam bërë mund të mjaftojnë, por më shtyu fakti shumë domëthënës:
Sot në media askund nuk thuhej ndonjë element konkret se për çfarë u diskutua, e aq më pak, se për çfarë u konkludua në Korçë.
Shkruhej e flitej vetëm për “llojin e lakrorit, pijeve, këngëve, valleve”, etj, të tilla.
E njëjta ndodhi edhe mbas takimit të Kretës, ku e vetmja gjë që u pa ishte vallja e kënga e Z. Bushati.
Dëshiroj të pyes Z. Bushati, a u realizuan bisedime serioze aty, mbi çfarë topikash konkrete, a pati përfundime reale qoftë pozitive a negative ato, për të cilat do të ishte i detyruar të informonte opinionin, apo u kalua vetëm një Fund Javë e këndshme?!”- thekson deputeti demokrat.
KOHA JONË SONDAZH

