Taulant Balla: Kthimi i 27 janarit në 21 janar do t’i bënte gropën Shqipërisë
Taulant Balla ka folur pas mbledhjes së zhvilluar me dyer të mbyllura me Kryesinë dhe kryetarët e Komisioneve në sallën e grupit të PS në Kryesine e Kuvendit.
Deputeti socialist u shpreh se çdo përpjekje për t’i bërë gropën Shqipërisë është për të ardhur keq.
I pyetur se a ka frikë maxhoranca se 27 janari mund të kthehet në 21 janar të dytë, Balla tha: “Çdo përpjekje e tillë për t’i hapur një gropë Shqipërisë në rrugën drejt hapjes së negociatave i bën keq Shqipërisë dhe çdo gjë që i bën keq Shqipërisë është për të ardhur keq,” u shpreh Balla.
Ai dënoi largimin e opozitës nga Konferenca e kryetarëve dhe qëndrimin e saj. Më herët “selia blu” kërkoi dorëheqjen e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi me pretendimin se ai ka shkelur rregulloren e Kuvendit gjatë zgjedhjes së prokurores së përgjithshme të përkohshme Arta Marku.
“Konferenca e kryetarëve është institucioni që përgatit punën për hapjen e parlamentit me një axhendë intensive. Së pari me përgatitjen e legjislaturës për implementimin e reformës në drejtësi.
Kryetari i kuvendit kërkoi që menjëherë ditën e hënë të fillojë puna për ngritjen e KLGJ dhe KLP. Në mënyrë të çuditshme ata që thoshin pse po vonohet KLGJ e KLP nuk morën pjesë fare në mbledhje.
I përsëris thirrjen Lulzim Bashës dhe opozitës që Shqipëria nis me sesionin parlamentar të datës 15 një axhendë të rëndësishme që ka të bëjë me një vendimmarrje pozitive për hapjen e negociatave.
Në këtë proces jemi të gjithë të domosdoshëm për të mos i prishur punë. Kemi filluar punën për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për nenet ku ka rekomanduar ndryshime.
Detyra kushtetuese e opozitës të jetë në Kuvend. 600 mijë shqiptarë, 400 mijë të PD-së dhe 200 mijë të LSI-së i kanë votuar për të qenë në Kuvend”, deklaroi Balla.
KOHA JONË SONDAZH

