Tavo: Këtij vendi i duhet ndryshimi i madh. Dhe i duhet tani!

Deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, në fjalën para mbështetësve të LSI-së në Gjiorkastër, si deputet i zonës u shpreh se vendit i duhet një ndryshim i madh dhe ky duhet të ndodh tani. ”Tashmë beteja politike në Shqipëri nuk bëhet më bazuar në bindjet politike, ideologjike, apo në kahet e majtë apo të djathtë, por mbi një konflikt të ashpër midis dhunuesve të shpresës dhe e çliruesve të së ardhmes”,-tha Tavo.

Fjala e plotë

Përshëndetje të gjithëve. E nderuar Kryetarja e LSI-së znj. Monika Kryemadhi, i nderuar Sekretar i Përgjithshëm i LSI-së, z. Endrit Braimllari, e nderuar anëtare e Kryesisë Elona Guri, të nderuar kryetarë të Bashkisë e nderuar znj. Rami, i nderuar z. Deçka kryetar i Bashkisë së Dropullit, të nderuar vëllezër dhe motra. U bënë shumë kohë tashmë, shumë ditë që lexojmë nëpër gazeta e portale të ndryshme lajme në të cilat thuhet se Shqipëria është vendi i katërt në botë për largimin e njerëzve. Të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare theksojnë largimin masiv të shqiptarëve ose dëshirën e tyre për t’u larguar sa më parë nga vendi i tyre.

Swiss Digital Desktop Reklama

70% e shqiptarëve shprehen se dëshirojnë të largohen nga Shqipëria. Kjo normalisht nuk është gjë normale. Përkundrazi, kjo është një tragjedi, një tragjedi e vdekjes së shpresës, një eksod masiv i kohëve moderne. Ne të dashur miq jemi sot këtu siç kemi qenë prej shumë vitesh vetëm për një qëllim: të japim ndikimin tonë në zhvillimin e këtij vendi, në frenimin e këtij eksodi të paprecedentë, në sigurimin e një të ardhmeje më të mirë për brezat e rinj. Dhe ne jemi këtu në radhë të parë për rikthimin e shpresës së shqiptarëve.

Swiss Digital Mobile Reklama

Tashmë beteja politike në Shqipëri nuk bëhet më bazuar në bindjet politike, ideologjike, apo në kahet e majtë apo të djathtë, por mbi një konflikt të ashpër midis dhunuesve të shpresës dhe e çliruesve të së ardhmes. Ne kemi qenë gjithmonë dhe do të vazhdojmë të jemi deri në fund pionerë të Shqipërisë Europiane. Nuk do të reshtemi kurrë së luftuari gardianët që e mbajnë peng këtë vend prej vitesh me radhë. Nuk do të lodhemi kurrë deri sa të hapen dyert e integrimit për vendin tonë, dhe për një Shqipëri të lirë, të çliruar prej depresionit ekonomik e social në të cilin është fundosur ky vend. Kjo është arsyeja të nderuar miq pse unë dhe të gjithë ju jemi sot këtu. Jo thjesht për një takim partiak por si një zë dhe forcë që I përket një fronti. Frontit të së ardhmes, frontit të një Shqipërie evropiane, të një Shqipërie më të zhvilluar me standarde më të mira jetese. Ky është fronti i shpresës.

Një njeri i madh i politikës botërore, Winston Churchill ka thënë se politika është aftësia për të parashikuar se çfarë do të ndodhë nesër. Çfarë do të ndodhë javës tjetër, muajin tjetër apo vitin tjetër. Ndaj unë me pothuajse mbi 20 vjet përvojë politike mendoj se tashmë mund ta quaj veten politikan, po ju them se vitin tjetër na presin zhvillime dhe ndryshime të mëdha dhe ne duhet të jemi gati. Unë e kam thënë vazhdimisht nëpër media, në gazeta se për afro 30 vjet shqiptarët kanë përjetuar terapi shoku, tronditje politike dhe ekonomike. Dhe shuplaka nga më të ndryshmet. Dhe prindërit anë e mbanë vendit janë robtuar të gjithë jetën për fëmijët e tyre. Dhe tashmë po i largohen me ngulm jashtë vendit për tu kursyer atyre të ardhmen. Dhe po përpëliten për të mbajtur gjallë frymën e fundit të shpresës. Mjaft më.  30 vite prangosje shprese janë shumë. Të gjithë janë të vetëdijshëm për gjendjen ku ndodhet vendi ynë.

Është detyra dhe përgjegjësia jonë të takohemi dhe të flasim me të gjithë njerëzit. Tu themi që nuk janë vetëm, t’u japim zgjidhje problemeve të tyre. T’u japim zemër se ka ende shpresë. Ti bindim që e ardhmja do të fitojë. Dhe askush nuk mund të pengojë ecjen e këtij vendi drejt familjes së madhe evropiane. Ne duhet të flasim me të rinjtë, t’u heqim frikën, pesimizmin që kanë për të ardhmen. Ata janë zemra e qarkut Gjirokastër dhe janë shpresa dhe zemra e gjithë Shqipërisë. Se askush tjetër nuk mund dhe nuk ka të drejtë të kontrollojë të ardhmen e tyre veçse vetë ata. E ti ftojmë këta të rinj të bashkohen me ne. Të bashkohen në këtë frontin e madh të shpresës. Të flasim me gratë, me motrat me nënat tona dhe t’u themi atyre që zëri i tyre do të dëgjohet dhe se janë faktor i rëndësishëm dhe jetik për zhvillimin e vendit.

Të ftojmë prindërit, pensionistët, të punësuar dhe të papunët, të bashkohen me familjen tonë dhe të bëhen pjesë e këtij misioni politik kombëtar për kthimin e shpresës. Ti bindim të gjithë ata që duan më të mirën për jetën dhe familjen e tyre që ne jemi dera e hapur në të cilën ata mund të vijnë, të bashkohen dhe të ngrenë zërin. Të gjithë së bashku në emër të shpresës, në emër të lirisë të mirëqenies, të së ardhmes dhe të rrugëtimi tonë të përbashkët evropian. Jam shprehur me dhjetëra herë dhe do të vazhdoj të theksoj që 30 vite provincializëm politik janë  të pafalshme. 30 vjet janë një brez i tërë, janë një jetë e tërë në kurriz të shqiptarëve. Këtij vendi i duhet ndryshimi i madh. Dhe i duhet tani.

U deshën vetëm pak ditë protesta studentore që të tronditin qeverinë dhe në fakt tronditën mbarë politikën shqiptare. Rinia studentore, na dha një mësim të gjithëve, i dha një mësim politikës. Na dha një mësim dhe neve dhe arriti të risjellë shpresën e munguar në zemrat e shqiptarëve. Ajo ç’ka bënë ata të rinj dhe të reja në pak ditë, nuk arriti ta bënte e gjithë politika dhe opozita shqiptare, as me bojkotin e Parlamentit dhe as me akuza të vazhdueshme ndaj mazhorancës qeverisëse. Të rinjtë bënë atë që nuk është bërë në 30 vitet e fundit. Ata thyen frikën dhe i dhanë një shuplakë të gjithë politikës. Politika duhet të bëjë gjënë e duhur, ti dëgjojë dhe ti besojë të rinjtë e këtij vendi.

Unë jam realisht i surprizuar nga këta të rinj dhe mu kujtua viti ’90, kur unë kam qenë vetë student i dhjetorit dhe sinqerisht jam emocionuar jashtë mase. Atëherë shqiptarët, ata që janë brezi jonë dhe më të vjetër e kujtojnë se sa frikë kishin të dilnin dhe të protestonin. Ishin pikërisht studentët që i dhanë zemër shqiptarëve, sollën shpresën dhe ndryshuan sistemin. Do të jenë këta të rinj përsëri që në ditët në vazhdim do të sjellin ndryshimin e madh, shpresën, e humbur dhe të shumëpritur për të gjithë shqiptarët.

Miqtë e mi, njerëzit janë të vuajtur, janë të papunë, janë të dëshpëruar. Asnjë fjalë e bukur nuk do ti sjellë dritë të ardhmes së tyre. Shqiptarët duan shpresë. Kërkohet një shpresë e madhe për çdo zemër shqiptari. Duhet të kishte ndodhur dje dhe nuk duhet pritur as nesër! Duhet të ndodhë sot! Të nisë që këtej.

Motra dhe vëllezër, ne kemi qenë dhe do të jemi gjithmonë në shërbim të së ardhmes, do të jemi gjithmonë për më shumë punësim, standarde jetese, arsim, shëndetësi, siguri, rregull më të mirë dhe për mundësi më të shumta për shqiptarët. Njerëzit nuk kërkojnë përkujdesje. Gjirokastritët, tepelenasit, përmetarët, libohovitët  dhe të gjithë banorët e Memaliajt, Këlcyrës dhe Dropullit nuk kërkojnë lëmoshë. Ata kërkojnë vetëm një mundësi për të ndërtuar vetë të ardhmen e tyre ashtu siç kanë bërë gjithmonë plot vullnet dhe sakrificë. Ata kërkojnë vetëm një mundësi, të ndërtojnë jetën e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Këtë mundësi duhet t’ia japim ne, pra politika. Këtë mundësi duhet t’ia japim ne si forcë politike dhe unë mendoj që të gjithë së bashku e kemi mundësinë për ta bërë këtë dhe kjo do të jetë shumë e afërt.

Unë duke e mbyllur, dëshiroj t’ju falënderoj për prezencën tuaj këtu, edhe pse siç e tha dhe Monika, në ditë festash, por ishte e pashmangshme për tu realizuar, duhet ta bënim patjetër këtë vit dhe të mos ta shtynim. Sinqerisht ju kërkoj dhe ndjesë për të gjithë ata që lanë punët e tyre dhe erdhën në këtë takim, gjithashtu dua t’ju uroj ju dhe nëpërmjet jush të gjithë banorëve të Gjirokastrës vitin e ri. Gëzuar gjithë të mirat në familjet tuaja dhe shpresoj dhe uroj që 2019, ashtu sikurse theksova, do të jetë viti i ndryshimeve të mëdha, do të jetë viti i rikthimit të shpresës për të gjithë shqiptarët.

Faleminderit!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?