Topalli: Endrra e 27 viteve më parë, e thyer. Sot shqiptarët të deprimuar…
Një nga zërat më të fuqishëm dhe me influencë në Partinë Demokratike, Jozefina Topalli sot në Ditën e Rinisë, ku mijëra studentë u ngritën për të shembur komunizmin, flet për situatën politike në vend.
E ftuar në studion e emisionit “Studio e Hapur”, ndonëse jashtë Parlamentit, Jozefina Topalli ndalet tek situata në Partinë Demokratike, dhe tek marrëveshja Rama-Basha e 18 majit.
Sot është një ditë e rëndësishme 8 dhjetori, një ditë që të kujton një gjë të rëndësishme kur studentët brohoritën frazën e famshme “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Pas gati çerek shekulli ata që e premtuan realizimin e kësaj ëndrre duket se e kanë thyer premtimin, kanë dështuar. Është e vërtetë kjo?
Është në tërësi një ëndërr e thyer. Jo vetëm kur themi apo ëndërronim se vendin duhet ta shihnim si gjithë Europa, nuk donim të ishim thjesht në BE, por donim të ishim të barabartë në të gjitha aspektet me qytetarët e Europës, por është një ëndërr e thyer, e largët. Duhet të ishte një moment reflektimi, por me klasën politike nuk besoj se ka një moment reflektimi, nuk besoj se ka për të pasur një analizë, pse kemi varfëri, pse jemi këtu? Pse shqiptarët duan të ikin, pse flitet për një rritje të varfërisë. Pse brezi i ri e sheh veten të pamundur, pse ikën jashtë dhe kthehen në korrierë drogë. Kjo është gjëja më e dhimbshme që mund t’i ndodh një vendi nuk kishte kjo ëndrra, pse shqiptarët u dyndën vrapuan pas një ëndrre. Sot nuk ka një ëndërr.
Ka, se Europa vijon të jetë ëndërr…
Mendoj që ajo është një projekt, po ëndrrën dua ta shoh ndryshe. Unë them që ëndrra është rrëzuar rrugës. Është një moment për ta ndalur hapin për të parë më me sinqeritet nga qytetarët, për të parë ku janë dhimbjet e tyre. E ndjen se shqiptarët janë në një moment gati depresioni. Ne jemi rebeluar, kur jemi ndjerë keq, por të deprimuar shqiptarët nuk kanë qenë kurrë. Sot shqiptarët janë të deprimuar.
Ju e bëni partinë që keni përfaqësues, a ka ajo një lloj përgjegjësie për ketë ëndërr të thyer?
Unë fola me ne, nuk është vetëm tek klasa politike është më shumë se kaq. Ka shumë shkaqe që ndikojnë, historike, aktuale të tjera arsye që ndërhyjnë në indin dhe fibrën e shoqërisë sonë dhe konvulsionet që kjo shoqëri po jeton sot, por e marrë edhe në mënyrën më të thjeshtë dhe të dhimbshme kur lexon se janë 180 mijë shqiptarë që jetojnë me më pak se 3 dollarë në ditë, është një klithmë. Apo kur lexon raportet e BB-së që 32,8 % e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5 dollarë i bie të jenë 1 milion shqiptarë. Pak ditë më parë po lexoja për një ekonomist indian që e ftojnë në një universitet në Torino, foli më shumë në planin filozofik se sa për ekonominë. Ai u shpreh se: Nëse kualitetet morale nuk qëndrojnë në një shoqëri, ekonomia nuk rritet. Unë besoj se rasti i tillë është edhe për Shqipërinë.
Nga 8 Dhjetori lindi edhe Partia Demokratike që e drejtoi vendin për 13 vjet. A ka mbetur në PD ajo fryma e vitit 90. A ka sot lidhje PD me atë parti, Jo vetëm personazhet por edhe filozofia
Partia Demokratike ka sjellë lirinë. Liria funksionin, në këto 20 vite kanë ndodhur ndryshime drakoniane. Jemi të lirë. Kemi thënë atë që mendojmë kemi ecur përpara në rrugën e integrimit, jemi pjesë e NATO-s. Unë nuk mendoj se sot përfaqëson ndonjë gjë nga ajo që ka qenë ëndrra e viteve të fillimit. Po të më pyesësh thellë thellë nuk do në ja vlen dhe ka ndonjë gjë nga emri i PD. Kanë marrë siglën e PD, por aty mbaron çdo gjë. Kjo është ndjesia ime, qofsha e gabuar.
Zemra e partisë është grupi parlamentar, në këndvështrimin e ëndrrës së 8 dhjetorit si e shihni atë?
Nuk dua të përgjithësoj. Në shumë raste sillet midis mediokritetit dhe vulgaritetit. Kam bindjen e thellë se s’ka asnjë lidhje me atë të 8 dhjetorit 1990, sepse ka rrëzuar vlerat dhe parimet funksionon me një miks të asaj që është ambicia financiare dhe axhenda politike e lidershipit të këtij grupi, që nuk e quaj grupi i PD sepse s’ka ardhur nga Partia Demokratike dhe as nga forumet, s’ka asgjë nga vlerat dhe parimet mbi të cilat është ngritur kjo forcë.
Ju mungon ajo sallë zonja Topalli, përplasjet, argumentet, keni kaluar aq kohë në atë sallë?
Kam menduar se do më mungonte, janë më shumë se dy dekada e përfshirë emocionalisht, mendërisht e fizikisht 24 orë në 24 orë. Jo, kur e shoh sot nuk më mungon. Më bën të mendoj që ai teatër i shëmtuar i aktorëve që janë bashkë në interesat që ato ndajnë, se kam fjalën vetëm për interesa politike, është e shëmtuar. Nuk është ajo për të cilat lindi 8 dhjetori.
Ju po thoni që Rama e Basha janë bashkë në interesa financiare, jo vetëm politike në marrëdhënie partnerësh?
Ato janë bashkë në një marrëdhënie shumë opake.
E lidhni me marrëveshjen e majit?
Është një marrëveshje e nëndheshme edhe para 18 majit që u bë gjatë majit më vizive por edhe pas. Ke për ta parë edhe në muajt që vijnë.
VIJON …
KOHA JONË SONDAZH

