Trafikantët heqin dorë nga bananet, kapet kokainë brenda qymyrit në Portin e Durrësit
Mesa duket trafikantët e drogës kanë hequr dorë nga kontenierët me banane dhe kanë filluar të shfrytëzojnë qymyrin për të trafikuar kokanë nga Amerika Latine.
53 pako me kokainë janë gjetur sot në një anije qymyri në Portin e Durrësit.
Ndryshe nga herët e tjera, ku kokaina është gjetur në banana, kësaj radhe trafikantët kanë ndryshuar strategji duke e fshehur sasinë e drogës në qymyr.
Kokaina është kapur në hambarin e anijes “Unistream” me flamur të Antigua Barbuda nga Ishujt Karaibe.
Ajo ishte e ndarë në 53 pako, në dy çanta, ndërsa kërkimi për sasi të tjera droge vijon ende mes 6500 ton qymyr.
Operacioni është kryernga Task Forca e Durrësit, e cila ka zbuluar kokainën në anijen që sillte qymyr nga Kolumbia.
Itinerari që ka ndjekur anija
Anija “Unistream” është nisur nga porti i Barranquilla në Kolumbi më 26 prill në orën 11:32 dhe ka mbërritur në Portin e Durrësit në 16 maj, një ditë më parë në orën 08:32. Nuk dihet nëse sasia e drogës kishte si destinacion final Shqipërinë apo porti i Durrësit ishte përdorur si tranzit nga trafikantët.
Skema e transportit të drogës me banane nga vendet e Amerikës Latine drejt Shqipërisë është përsëritur disa herë gjatë viteve të fundit, ku janë kapur sasi të mëdha kokaine.
Vetëm në kontenierët e kompanisë “Alba Exotic Fruit” është kapur pesë herë kokainë. Hera e fundi që u gjet drogë në këtë port ishte më pesë prill, një kg heroinë.
KOHA JONË SONDAZH

