Vasili: Rama i pushtuar nga frika në një logore halucinante voton kundër drejtësisë
Lëvizja Socialiste për Integrim vijon sërish akuzat ndaj deklaratave të pak orëve më parë, që kryeministri Edi Rama bëri në video-monologun e tij me ndjekësit virtualë në rrjetet sociale.
Pas kryetares Monika Kryemadhi, kësaj radhe është kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, i cili përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social “Facebook” shprehet se Rama është i përfshirë nga frika dhe për këtë arsye ai thotë dhe fjalë që as ai vetë nuk i kupton.
Vasili thotë që Rama flet për një ekonomi imagjinare, si dhe voton kundër drejtësisë për të mbrojtur drogën dhe trafikantët. Dhe të gjitha këto, sqaron Vasili, i bën për ti dhënë kurajo vetes për të mbuluar frikën që e ka përfshirë atë.
Reagimi i plotë i Petrit Vasilit
Kryeministri flet në frikë, si Beni që këndonte këngë partizane në pyll. Ky shkollëpaku llomotit e grin fjalë, që nuk i kupton, lart e poshtë dhe gjithë ditën, në konferenca facebookiste, në parlament, kur u hakërrehet gazetarëve, kur flet për ekonominë imagjinare nga e cila s’kupton hiçgjë, kur shkreh njërin budallëk pas tjetrit, kur i lemerisur voton kundër drejtësisë për të mbrojtur drogën dhe trafikantët, kur i trembur për vdekje bën be që nuk ka frikë.
Mos humbni hiç kohë që ta dëgjoni gjithë këtë logore halucinante të tij, sepse a e dini pse e bën?
Do t’i japë kurajo vetes shkollëpaku i trembur shumë, ashtu si Beni i vogël tek filmi, që nga frika këndonte këngë partizane kur ecte në pyll.

KOHA JONË SONDAZH

