Veliaj: Fokusi te rrugët që lidhin periferinë me qendrën e Tiranës

Bashkia e Tiranës ka nisur punën për rehabilitimin e bllokut të banimit në Rr. “Nikollë Mekjashi” në Njësinë 1, e cila kryqëzohet nga “Kostandin Shpataraku”, “Minella Karajani” dhe “Bajazit Shehu”. Projekti parashikon ndërhyrje në rrjetin rrugor në brendësi të bllokut dhe plotësimin e segmenteve me të gjitha rrjetet e nevojshme inxhinierike, ndriçim e sinjalistikë.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se gjatë këtij 4-vjeçari do të investohet në të gjitha akset lidhëse të periferisë me Unazën e Madhe të Tiranës. “E kemi bërë shumë të qartë: Në këtë mandat fokusi do të jetë te rrugët që lidhin periferinë me qendrën e Tiranës, përfshirë të gjitha zonat kufitare ku kalon Unaza e Madhe, në Astir, Farkë apo Shkozë. Këtu jemi në ‘lagjen e korçarëve’ dhe sa herë binte shi, këtu bëhej një rrëke e jashtëzakonshme. Më vjen mirë që, pasi kanë ndodhur legalizimet nga qeveria qendrore, tani vazhdon urbanizimi nga bashkia”, tha Veliaj.

Ai u shprehu mirënjohjen e tij banorëve, që janë treguar të gatshëm të bashkëpunojnë për realizimin e punimeve, të cilat do t’i rrisin vlerën pronës së tyre. “Kemi marrë një dakordësi të jashtëzakonshme nga komuniteti këtu, për t’u tërhequr nga gardhi. E kuptoj se kur tërhiqesh një metër, oborri të del më i ngushtë, por ama ke fituar një trotuar dhe ajo vajza e vogël që do të shkojë te shkolla ‘1 Maji’, do ecë në një hapësirë më të sigurt se sa kur dilte menjëherë në rrugë. Ndaj, besoj se vendimi i qytetarëve për t’iu bashkuar bashkisë, është një shembull për të gjithë të tjerët. Ku vjen bashkia, vjen civilizimi, vjen urbanizimi. Të gjitha këto shtëpi do të vlejnë më shumë kur të mbarojë rrethimi, kur të vendosen kangjellat e bukura e ku vërtet mund të thuash që jeton në Tiranë, jo vetëm si adresë, por edhe si cilësi e investimit,” deklaroi Veliaj.

SHKARKO APP