Zbardhet debati, pedagogët: Anulim imediat i vendimeve të dhjetorit
U deshën plot tri orë diskutime për të konkluduar pesë kërkesa, që s’janë tjetër veçse derivat ose përmbledhje e vendimeve të katër asambleve pedagogësh të fakulteteteve të Universitetit të Tiranës, të dhëna përgjatë këtij muaji.
Në gjithë shtrirjen e saj pati debate midis pedagogëve të fakulteteve të ndryshme, lidhur me deklaratën e shprehur nga Senati Akademik i Universitetit të Tiranës. Në qëndrimin e saj luajal, më 14 janar, organi më i lartë kolegjial vlerëson personelin akademik, por në asnjë rresht nuk citohet kundërshtimi i ligjit të arsimit të lartë e madje as i vendimeve të fundit të Këshillit të Ministrave, për të cilat janë indinjuar më shumë pedagogët që iniciuan këtë mbledhje.
Kjo ka bërë që disa prej tyre, që e ndiejnë veten të papërfaqësuar nga Senati për të cilin kanë votuar vetë, të shprehin hapur kundërshtinë e madje, duke insistuar për ta përfshirë në deklaratën finale të takimit të djeshëm. Kjo ka ngjallur reagimin e të zgjedhurve, të cilët ashtu si drejtuesit e takimit, nuk kanë dashur në asnjë moment të zhvendosin vëmendjen nga problematikat kyçe për të cilat ishin mbledhur e jo më ta kthenin në një luftë brenda llojit.

Indinjatën e papërfaqësimit e ka shprehur hapur edhe pedagogu i Fakultetit Ekonomik, ndër të paktët të ndodhur në sallë përmes një fjalimi të gjatë autokritik. E papritur dhe me shumë ovacione pozitive ka qenë fjalimi i zëvendësrektores Gentiana Kera, e cila përmblodhi tri pikat kryesore ku çalon ligji i ri i arsimit, të hasura në praktikën e saj. Nuk ka munguar kërkesa e llogarisë edhe ndaj një pedagogeje, përfaqësuese e një force politike në Kuvend, e cila ka votuar ligjin e shumëkundërshtuar për arsimin e lartë.
DEBATI MES PEDAGOGËVE
Rezart Prifti: Të vetmit që s’arritëm ta çonim Asamblenë deri në fund për ta mbledhur dhe si fakirë që mbetëm, jemi komplet në mbështetje të gjithçkaje që po bëhet, edhe pa asamble të mbledhur. Ne po goditemi sot jo sepse ju tek Kryeministrit…po sepse jemi të dobët. Nuk na ka munguar ndonjëherë liria akademike, por atë që e morëm nga qeveria, por ne e dimë shumë mirë që drejtuesit tanë kanë abuzuar me këtë sa kemi prodhuar studime doktorature për formën e kokrrës së orizit. Dhe ne me prodhimin e këtyre kapsllëqeve deflacuam veten tonë dhe erdhëm sot në këtë pikë sa të thuash jam doktor shkencash: je barsoletë. Para këtij ligji ishte një tjetër…po njësoj. Të njëjtën rrogë, të njëjtat konferenca, të njëjtat letra mbushnim.

(Ovacione nga pedagogët në sallë): Jo, nuk është e vërtetë.
Rezart Prifti: Ok, ejani ta diskutojmë. Por problemi më i madh është te ligji apo VKM-ja, e cila ishte masakër më vete. Kujt nga ju do vijë t’i tregojë profesoratin ose doktoraturën një specialisti t Ministrisë së Arsimit. Qyqja, kjo s’është normale. Por duhen ndarë gjërat. Heqja e VKM-s është imediate.
Adriana Anxhaku: Ne jemi këtu si grup interesi dhe themi se duhet të na ishte marrë mendimi për atë ligj. Ne kemi për detyrë te merremi parasysh në impaktin e ligjit. Kemi arritur në konkluzionin se ka një sërë mangësish.
Arlind Qorri: Thelbi i gjithçkaje është ligji, jo se u shpikën nga ky, por ligji i bëri sistematike ato probleme dhe solli probleme të reja.
Fabian Topollaj: Vendimet tona nuk janë të njëjta me Senatin Akademik të Universitetit të Tiranës. Ata nuk e thonë qartë që ligji duhet ribërë. Kështu që ne duhet ta theksojmë. Ne jemi shumica, ata na përfaqësojnë. Për studentët, Senati Akademik nuk vendos nëse studentët duhet të fillojë mësimi ose jo. Nuk vendosin profesorët për ta, janë ata që i marrin vendimet e tyre.

Enriketa Papa(anëtare senati): Po hidhet ideja sikur ka një lloj konfrontimi midis trupës akademike, Asambleve dhe Senatit Akademik. Zgjedhjet janë bërë dhe të gjithë ne kemi përfaqësuesit tanë në Senat. Paraqitja e Senatit si një trupë unike është e gabuar, siç nuk jemi ne unikë në atë se çfarë mendojmë për protestën dhe organizimin tonë si pedagogë. Në Senat ju garantoj se bëhet një debat i fortë, por pakica është në votim jo aq imponuese. Jemi në demokraci dhe sado luftë argumentesh që kemi bërë, dihet përbërja. O kërkoni rizgjedhje të reja, përndryshe të dalin pedagogë në konfrontim me anëtarët e Senatit, është e gabuar se i bie të dalim kundra atyre që ne kemi zgjedhur vetë.
Pedagogët (në sallë): Kanë dalë fjalët se ligji është shumë i mirë.
Enriketa Papa: Nuk e thashë. Dhori Kule ka thënë se ligji është shumë i mirë. Të tjerët në Senat nuk e kanë thënë. Ka debate, ka senatorë të tjerë që mund të konfrontohen.
Fabian Topollaj: Senati ka tagrin për ta kundërshtuar.
Enriketa Papa: Tagri i Senatit është i përcaktuar në atë ligj që duam të abrogojmë. Tani vendosni vetë.
Mark Marku: Ju lutem, bëjmë kujdes. Po tentojmë drejt një konsensusi. Unë mendoj që kërkesa është shumë e arsyeshme, por duhet riformuluar. Ne kemi të drejtë që t’u kërkojmë atyre që na përfaqësojnë. Senatit dhe gjithë institucioneve përfaqësuese që janë zgjedhur me votën tonë dhe që kanë përgjegjësi për universitetin, të cilën e kanë marrë vetë, se nuk i ka detyruar njeri ta marrin këtë përgjegjësi që të mbrojnë interesat e universitetit, pedagogëve, studentëve dhe jo të qeverisë. Ata, të cilët ne i zgjedhim, një pjesë nuk zgjidhen për shkak të vullnetit, por ka disa kombinime që ne i dimë, pasi kështu funksionon jeta demokratike. Por në momentin që zgjidhen, gjëja e parë që bëjnë nuk mbrojnë interesat e atyre, për të cilat zgjidhen. Problemi është se kjo ka të bëjë dhe me nivelin e demokracisë brenda universitetit.

Sokol Axhemi: Çdo diversitet mendimi vjen në sinkron dhe me kulturën që përfaqësojmë ne dhe kjo kulturë vjen dhe nëpërmjet votës. Jemi katër senatorët e HistoriFilologjisë dhe jemi unikë me trupë dhe kërkesën jo vetëm të Asamblesë së pedagogëve, por të çdo pedagogu. Jemi unikë, tani, çfarë keni probleme me senatorët e fakulteteve të tjera, është detyra juaj që të sinkronizoheni me to, tua kërkoni atyre. Dhe deklaratat e Senatit të dala gjatë gjithë kësaj periudhe, edhe pse me pakicë votash, kanë qenë jashtëzakonisht të lodhshme. Do ju lutesha të jeni koherentë me strukturat që zgjidhni. Së fundmi, në mbledhjen e djeshme të Senatit, thuajse me unanimitet është shprehur kundër të gjitha këtyre VKM-ve që kanë dalë në periudhën e fundit, që me thënë të drejtën, janë represive dhe shantazhuese dhe duan të intimidojnë dhe mendimin e lirë në universitetin tonë.
Erisa Xhixho: Cenimi i autonomisë është shumë i rëndë dhe pa dyshim, rishikimi i ligjit të arsimit të lartë është i domosdoshëm. Por duhet të jemi shumë të qartë për kërkesat e studentëve dhe të sqarojmë se kush e mban peng fillimin e mësimit. Pikërisht mosplotësimi i kërkesave. Mendoj se duhet shtuar edhe kërkesa për të ulur tarifat jo vetëm për bachelor, por edhe për master, si dhe rritjen e buxhetit për arsimin. Do të doja të parashikonim një afat për realizimin.
Pedagoge: Ka menduar kështu Erisa Xhixho edhe kur ka votuar ligjin?! (duartrokitje)
Erisa Xhixho: Kam bërë oponencë që në hartimin e projektligjit të arsimit të lartë….
Mark Marku: Ju lutem, të mos bëjmë oponencë. Nuk jemi mbledhur për t’i kërkuar llogari njëri-tjetrit sepse do devijojmë. Mos ta humbim efikasitetin.
Rezart Prifti: Ju mendoni t’i lëmë qeverisë kohë të shprehet për ligjin…por unë ju garantoj se një pjesë e mirë nuk e kuptojnë akoma. Unë për Zotin, s’e kuptoj akoma.
Mark Marku: Një nga argumentet për ta rrëzuar ligjin është edhe fakti që ti nuk e kupton. Kur një ligj nuk kuptohet, nuk mund ta zbatojë dhe vetë qeveria se ka tre vjet që e ka implementuar dhe s’po e zbaton më.
Gentiana Kera, zv.rektore: Si pedagoge kam pasur probleme pafund, që nga mungesa e transparencës e deri te një milionë gjërat e jetës së përditshme që kulmuan vjet, me faktin që ne nuk kishim bazë materiale për të zhvilluar provimet. Për mua, që shkurtin e vitit të kaluar duhet të kishim bërë një grevë dhe bojkot sepse nuk na lejohet t’i fotokopjojmë ato teza jashtë sepse përfundojmë te “Fiksi” a te “Stopi”. Ligji ka një problem shumë të madh, që unë e shikoj në praktikë sepse gjërat ngecin. Ligji lejon që të gjithë organet drejtuese të universitetit të bllokojnë njëri-tjetrin në momentin e parë që duan ta bëjnë. Ky është një ngërç institucional i pamenaxhueshëm dhe bëhet vetëm nëse këto organe janë dashamirëse dhe bien dakord t’i zgjidhin gjërat për të mirën e përbashkët, gjë që s’ka ndodhur. Ne duhet të bëjmë presion tani, që universiteti të jetë në atë nivel që ne duam.
Romeo Hanxhari: Qeveria të konsiderojë një ulje të paktën 10% të gjithë tarifave të masterit.
Mark Marku: Nuk mund të parashtrojmë kërkesa. Po diskutojmë për gjendjen ku jemi. Pse të mos u themi të mos u japim dhe nga një bursë. Jemi në mbështetje, por nuk mund të bëjmë kërkesa për t’i përfaqësuar ata kanë përfaqësuesit e vet. Nëse qeveria do na pyeste, ok.
Armando Memushi: E pakonceptueshme të kërkojmë rishikim të ligjit. Ai është konceptuar gabim. Të kërkojmë meremetimin e diçkaje që e gjykojmë thellësisht të gabuar, më duket diçka minimaliste në këtë rast. Na duhet një afat për rrëzimin e ligjit dhe një tjetër afat për hartimin e një të riu.
Pedagoge (pa mikrofon): Kërkesë për rritjen e pagave të pedagogëve.
Mark Marku: Nuk është ky momenti i duhur.
KOHA JONË SONDAZH

