Zëvendës Ndihmës Sekretarja amerikane, Laura Coope: Rusia synon destabilizimin e Ballkanit
Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Zëvendës Ndihmës Sekretarja amerikane e Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Eurazinë Laura Cooper tha në përgjigje të një pyetje të Zërit të Amerikës nëse Shtetet e Bashkuara po e ndjekin me vëmendje Ballkanin Perëndimor, në kushtet e krijuara dhe përpjekjeve të Rusisë për ndërhyrje, zyrtarja e lartë tha se Uashingtoni gjithmonë i kushton vëmendje Ballkanit Perëndimor dhe është i përkushtuar ndaj marrëdhënieve të aleancës me Ballkanin dhe ruajtjen e partneriteteve të forta në të gjithë rajonin
“Pa dyshim ka një histori të përpjekjeve të Rusisë për të ndërhyrë në rajon duke u përpjekur të nxisë tensione. Dhe mendoj se ne po shohim që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Jam vërtet e kënaqur jo vetëm nga niveli i vëmendjes së Shteteve të Bashkuara ndaj rajonit, por edhe se mendoj se edhe partnerët tanë të BE-së janë investuar shumë në sigurimin e stabilitetit”, tha ajo.
Mes praktikave që ajo mendon se Rusia mund të përdorë të destabilizojë Ballkanin, janë ndërhyrja kibernetike, përfshirë manipulimin e hapësirës së informacionit, shenja të së cilave sipas saj vazhdojnë të shihen. Ajo gjithashtu shton se Moska mund të përdorë si mjet korrupsionin, që ka efekt veçanërisht gërryes në rajon, si edhe shitjet e armëve.
Zyrtarja e lartë e Pentagonit tha se SHBA është e hapur për për thellimin e bashkëpunimit ushtarak me Serbinë dhe zhgënjehet kur Serbia nuk zgjedh bashkëpunimin.
Zonja Cooper tha ndër të tjera se shpreson që Serbia të marrë një vendim për veten e saj.
“Nuk është në interesin e Serbisë të bashkëpunojë me një ushtri që masakron një popullatë, një ushtri që bombardon civilët. Dhe sinqerisht, nuk është në interesin e Serbisë të ketë partneritet me një ushtri që po vuan pasoja kaq të qarta në fushën e betejës, me një moral kaq të ulët, një ushtri ku udhëheqësit nuk u besojnë ushtarëve të tyre”, tha ajo.
Zonja Cooper hodhi gjithashtu me forcë poshtë çdo paralelizëm që bën Moska me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 për të ndalur fushatën e Millosheviçit.
“Nuk ka absolutisht asnjë ngjashmëri mes këtyre situatave. Ajo që shohim sot është një fuqi e madhe që ka zgjedhur të sulmojë një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike pa asnjë provokim dhe po kërkon të pushtojë pjesë të konsiderueshme të atij vendi duke bombarduar popullsinë civile dhe duke penguar dhënien e ndihmës humanitare . Nuk ka absolutisht asnjë të përbashkët”.
Zv/ndihmës sekretarja e Mbrojtjes tha se është e sigurt se populli i Serbisë mund ta shikojë gjendjen e popullit të Ukrainës me sytë e vet dhe të kuptojë shkatërrimin me të cilin po përballet dhe të dojë t’i mbështesë ata.
Ajo shtoi se Rusia është gjithmonë duke u përpjekur të provokojë ndarje midis aleatëve të NATO-s në të gjithë aleancën, përfshirë edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Por ndihemi vërtet të sigurt se marrëdhëniet tona të forta të aleancës na mundësojnë të qëndrojmë të fortë së bashku për të mbrojtur aleatët tanë dhe për t’i bërë ballë këtyre presioneve nga Rusia”, përfundoi ajo.
KOHA JONË SONDAZH

