Zgjedhjet/ KQZ sot miraton buxhetin 1.4 milionë dollarë, gjysma për pagat
Zgjedhjet e këtij viti më të shtrenjta se zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013
Herion Mesi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë në mbledhjen e sotme buxhetin e detajuar për zgjedhjet e 18 qershorit. Zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit rreth 139.3 milionë lekë ose rreth 1.4 milionë dollarë. Ajo që bie në sy është se fondi i zgjedhjeve parlamentare të këtij viti është më i madh se ai zgjedhjeve të vitit 2013, ku qeveria e atëhershme vuri në dispozicion 123 milionë lekë lekë të reja, ose rreth 1.6 milionë lekë të reja më pak se qeveria aktuale.
Vendimi i KQZ-së
Zërin kryesor të buxhetit për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e zënë shpenzimet për paga, rreth 45.23% e totalit prej 139.3 milionë lekësh. Duke iu referuar materialeve të projektvendimit që pritet të miratohet në mbledhjen e sotme, KQZ ka parashikuar të paguajë rreth 63 milionë lekë për pagat e komisionerëve dhe gjithë administratës së zgjedhjeve. “Me ligjin nr.130/2016 “Për buxhetin e vitit 2017”, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i janë caktuar fonde në programin Planifikim, Menaxhim dhe Administrim, për vitin në shumën 139.300.000 lekë. Detajimi i zërave të buxhetit është bërë nga drejtoria e financës, bazuar në kërkesat e administratës të KQZ-së për bazë materiale, si dhe shërbime të ndryshme në funksion të përmbushjes së detyrave të tyre funksionale, por edhe realizimit të buxhetit gjatë viteve të kaluara”- thuhet në projektvendimin e KQZ-së.
Shpërndarja e buxhetit
Duke iu referuar detajimit të zërave të buxhetit që është bërë nga drejtoria e financës në KQZ, është parashikuar që rreth 22.5 %, ose 31.4 milionë lekë e buxhetit të shkojë për shpenzimeve për mallra dhe shërbime. Nga të cilat rezulton se rreth 19 milionë milionë lekë do të jetë kosto e bazës materiale, ku përfshihen blerja e kutive të reja dhe kodet e sigurisë rezervë, që u miratuan javën e shkuar me vendim unanim nga shtatë anëtarët e KQZ-së. Ndërkaq, një tjetër zë në shpërndarjen e buxhetit të KQZ-së rezulton të jetë dhe zëri i shërbimeve, ku 13.7 milionë lekë është fondi i parashikuar. Ndërkaq, në sy bie fakti që rreth 10.8 milionë lekë është fondi i vënë në dispozicion për kompensimet ligjore që institucioni më i lartë zgjedhor në vend parashikon për të shlyer për institucionet e drejtësisë.
KOHA JONË SONDAZH

