Zhvillimet me Saimir Tahirin, flet për herë të parë Fatmir Xhafaj
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj në një konferencë ku flitej për trafikun e qënieve njerëzore e ktheu vëmendjen tek altualiteti e zhvillimet e fundit me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Ndonëse pa ia përmendur emrin, Xhafaj foli për trafikantë, prokurorë e gjyqtarë të korruptuar, të cilët duhet të mbajnë përgjegjësi për moskapjen e tyre.
“Fjalime të tëra, emisione dhe shkrime pafund adresohen për trafikun e trafikantët, emrat e të cilëve janë bërë temë e ditës më shumë se asgjë tjetër, ndërkohë duhet të flisnim për thelbin e problemit, për mënyrën si do duhet të përballemi me dukuri të tilla që janë dukuri pa ngjyra dhe pa parti. Të flisnin shumë më pak disa nga politikanët tanë.”,- tha ai edhe pse nuk e specifikoi cilës ngjajre iu drejtua.
Mes të tjerash Xhafaj theksoi se shumëkush mund të flas për trafikun dhe trafikantët, por harron prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.
“Të gjithë flasim për trafikun dhe trafikantët, por harrojmë të ngrejmë zërin për gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar që kanë shpërdoruar detyrën. Të gjithë flasin për trafikantë dhe trafik, por shumë pak flasin për ata punonjës policie të ndershëm. Ndaj, është rasti t’ju shpreh mirënjohje të veçantë të gjithë veprimtarëve të policisë, që i janë përkushtuar me devotshmëri këtij profesioni. Mirënjohje për gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë që kanë bërë drejtësi përballë trafikantëve. Mirënjohje të veçantë të gjithë punonjësve të policisë trima, që shpëtojnë jetët njerëzore dhe u shpërbejnë drejtësisë.”, përfundoi Xhafaj.
KOHA JONË SONDAZH

