Home Editorial Rama konfirmo...

Rama konfirmon Erion Veliajn kandidat për Tiranën

1541
0

(Ky video editorial është më i plotë po të klikoni te video, por mund ta lexoni edhe si tekst)

Kryeministri Rama foli pardje ashpër për ndërtimet pa leje që janë kudo në Shqipëri. Por në Tiranë ai nisi ministra dhe zv/kryeministra tek te “fortët” oligarkë.

Shumëkush shkroi në rrjete sociale dhe në media se ku ishte kryeministri Rama kur këto u ndërtuan apo janë duke u ndërtuar?

Pyetje me vend!

Edi Rama iu përgjigj kritikëve me këtë shënim të tijin në facebook:

” KU ISHTE SHTETI KUR U NDËRTUA?

E kam ndeshur këtë pyetje në komente mbi operacionin më të fundit të qeverisë për shembjen apo konfiskimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi. Pyetja në fakt është ku ishin inspektorët apo punonjësit e policisë së zonës ku janë bërë të tilla abuzime! Këtë do ta mësojmë nga hetimi që ka nisur paralelisht, ndërkohë që pa dashur të humbas kohën e askujt të cilit nuk i mbushet mendja, po as timen për t’iu mbushur mendjen atyre që s’duan, them se janë disa gjëra që duhen mbajtur parasysh nga të gjithë ata që janë të interesuar të informohen:

E para, sot këto lloj ndërtimesh janë ku e ku më pak se dje dhe janë ku e ku më pak, pikërisht sepse ka, ku e ku më shumë shtet, ligj, rregull se sa deri dje, kur mbizotëronte rrumpalla e kudondodhur.

E dyta, kjo nuk është një ndeshje futbolli dhe as një betejë e vetme, me kronometër apo kohë të shkurtër. Kjo është një luftë e gjatë, ku avantazhi i shtetit dhe i ligjit në terren nuk merret kollaj, po merret hap pas hapi, me mund e durim të madh.

E treta, ky operacion bazohet në ndryshimet e reja ligjore, që dolën si mësim në rrugën plot kthesa e befasira të kësaj lufte dhe mbështetet në një vullnet të papërkulur nga vitet, për ta çuar këtë luftë të gjatë deri në fund.

E katërta, ka shumë të ngjarë që me mbylljen përfundimtare të rrugës së legalizimit dhe shembjen apo konfiskimin për interes publik të këtyre vëllimeve abuzive, të vuloset edhe fundi i kësaj praktike të neveritshme.

E pesta dhe e fundit, e cila është edhe personale dhe e kam me ata që më dinë si veten e tyre apo më akuzojnë, për gjëra që mesa duket do t’i bënin vetë po të ishin në vendin tim:

Po të kishte lindur ndërtuesi që më blinte mua me kate e me metra pallatesh, as kjo luftë kaqvjeçare dhe as ky operacion nuk do ndodhte kurrë me nxitjen dhe nën udhëheqjen time. Kaq”- shkruan kryeministri Rama.

Por si përherë hamendjet e ndryshme; ato mediatike, politike dhe populli në rrjete sociale thonë se diçka është thyer mes kryeministrit dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Bile shkojnë deri atje sa Erion Veliaj e zëvëndësojnë në këto zgjedhje që po vijnë, me Belinda Ballukun apo edhe me një ministre tjetër, korrekte me detyrën.

Në fakt Edi Rama ka dhënë prova se kur ka dashur të të heqë qafe ndonjë “ferrë” nëpër këmbë apo ndonjerin që ia mërziste shpirtin, ai, pra Rama, e ka bërë fort dhe hapur, bile pa asnjë mëshirë!

Emrat dhe shembujt i dijmë të gjithë!

Por Erion Veliaj së pari e di vendin e tij në raport me kryeministrin dhe nuk shikon larg dhe lart, sepse e “qorron” dielli që del nga selia e PS, kështu që nuk ka asnjë ambicje, të paktën për momentin që ti zërë vendin Edi ramës.

Edhe sikur ta ketë ambicje të fshehur, ai nuk guxon as ta mendojë, sepse koka pritet mu në mes të sheshit Skenderbej nga Rama.

Erion Veliaj kë bërë punë të mira dhe vizionare në Tiranë, por askush nuk e beson se ai ka vepruar në kokën e tij.

Pra ky version se Rama po shigjeton Veliaj nuk qëndron, pasi të dy janë në një front dhe të dy kanë miq Sorosin. Rama ka plakun, kurse Veliaj të riun Aleks.

Duke njohur kryeministrin që luan mjeshtërisht edhe kur nuk ka shumë lekë në buxhetin e shtetit, ai, pra Edi Rama ka sulmuar të gjithë ata që kanë bërë ndërtime pa leje, që t’ju marrë lekët për të mbushur financat e shtetit.

Ata që kanë ndërtuar kështu, pa leje, janë milionerë dhe nuk e kanë merak se iu thahet xhepi nëse paguajnë miliona për të legalizuar atë që kanë bërë në mes të Tiranës apo në zona ku vlera e ndërtimit është në majat më të larta të tregut. Ata janë gati të paguajnë shtetin për shkeljen e ligjit, pasi burgu nuk është shumë komod edhe ca vite.

Pra kryeministri bën një rrugë e dy punë; mbush thesin e lekëve për shtetin, por edhe iu legalizon ndërtimet pa leje, pasi ligji në fuqi nuk lejon legalizime për ndërtimet pas vitit 2013.

Kështu që ata që fërkuan duart se Rama po djeg Erion Veliajn, kanë dështuar.

Rama dhe Veliaj janë në një front dhe në interesa të përbashkëta politike. E dijnë mirë se po ra njeri, edhe tjetrit i lëkundet karrikja!

Erion Veliaj e keni prapë kandidat për kryebashkiak në Tiranë. Kjo quhet zyrtare dhe e konfirmuar. Kryeministri nga Zall Herri ku po inaguronte shtëpi të reja të ndërtuara nën kujdesin direkt të kryebashkiakut Veliaj, tha: “Le t’i thonë Lalit çfarë të duan ata (opozita), Lali këtu është! Duke ardhur shumë vërdallë nëpër fshatrat e Tiranës e kanë kuptuar se si t’i kthejë ata në hudhra që mos ta marrin më sysh. Dhe prandaj është gjithmonë shumë më i buzëqeshur se unë, se unë s’e kam gjetur akoma këtë si bëhet”-  e mbylli kryeministri njëherë e mirë kandidimin e Veliajt.

Erion Veliaj, me një stil rilindasi, foli se ata që shpresojnë se do të ketë sherrnajë mes meje dhe kryeministrit kanë zero shanse. “Ka shumë nga ata njerëz “të lodhur”, njerëz që e kanë shpresën e tyre që kryetari i bashkisë dhe kryeministri do të hyjnë në një konflikt dhe do ju dhurojnë atyre pushtetin, njerëzve që e kanë pasur në fakt pushtetin, që e kanë pasur në dorë Tiranën, që e kanë pasur në dorë Zall-Herrin edhe nuk e di dhe sa herë duhet të luten edhe sa kallo duhet të kenë në gjunjët e tyre që të luten që unë një ditë dhe kryeministri nuk do të shkojmë mirë, shanset janë zero presje hiç që kjo të ndodhë.

Për të gjithë ata që luten që ne të kemi një konflikt të madh, dua t ju them këtë. Bashkia e Tiranës dhe qeveria po diskutojnë se si nga një situatë ku në kishim një nga 10 ndërtime në paligjshmëri, në situatën që kemi sot, një në 10 mijë ndërtime në paligjshmëri, si të adresojmë dhe ato pak raste që kemi.

Kush uron dhe kush mendon që në këtë përpjekje që ne kemi për ta bërë Tiranën zonjë dhe për ta bërë Shqipërinë moderne, ne do të kemi konflikte, inate dhe përçarje duhet ta harrojnë. Probabiliteti është zero presje hiç”, u shpreh Veliaj.

Pra asgjë nuk ka në PS, as sherr dhe as tymnajë. Problemi shtrohet se çfarë do të bëjë opozita në Tiranë. Cilin emër do të nxjerrë opozita e bashkuar Erion Veliaj?

Ky është problemi!

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit