Home Aktualitet Rama synon 84...

Rama synon 84 mandate më 2025

30
0

Nga Eduard Zaloshnja

Kandidatët e Ramës për kryebashkiakë morën pothuaj 800 mijë vota të vlefshme më 14 maj, të përkrahur fuqishëm në terren nga PS-ja dhe PSD-ja. Para dy vjetësh, kandidatët për deputetë të këtyre dy partive morën diçka mbi 800 mijë vota të vlefshme, duke siguruar kështu 77 mandate parlamentare. Nëqoftëse këto dy parti marin po 800 mijë vota të vlefshme pas dy vjetësh, mund të sigurojnë 84 mandate parlamentare, ngaqë duket se partitë e ndryshme opozitare e kanë tavanin e përbashkët rreth 600 mijë vota (kandidatët e Berishës e Metës për kryebashkiakë morën vetëm 500 mijë vota më 14 maj).

Rama duket se ka filluar qysh sot të mendojë për 800 mijë votat e 2025-ës, duke ditur se ato mund të përkthehen në 84 mandate palamentare, që i sigurojnë votat në Kuvend për ligjet që miratohen vetëm me të paktën 3/5 e votave.

Për të ruajtur 800 mijë votat deri më 2025, Ramës i duhet që votuesit socialistë që do të vdesin në këto dy vjet të zëvendësohen me të rinj që nuk votuan më 14 maj (bazuar në koeficientët e vdekshmërisë, rreth 20 mijë votues socialistë e socialdemokratë pritet të vdesin deri në qershor 2025). Politikat e reja që po prezanton Rama për aktivizimin e rinisë në biznesin fitimprurës digjital, si dhe bursat për studentë të degëve të ndryshme duket se synojnë që të joshin të rinjtë të votojnë pas dy vjetësh për qeverinë që po kujdeset për ta…

Për të ruajtur 800 mijë votat deri më 2025, Ramës i duhet gjithashtu që sa më pak nga votuesit e majtë të jenë të pakënaqur nga qeverisja qendrore dhe lokale socialiste. Jo më kot ai i bëri një parapritë kësaj pakënaqësie gjatë turit të falmnderimeve që bëri në gjithë vendin pas 14 majit, duke thënë se ai është vetë i pakënaqur deri më sot nga qeverisja qendrore dhe lokale socialiste dhe pret më shumë në vitet në vijim.

Goditja e fortë që Rama bëri në hipoteka dhe kalimi i gjithë shëbimeve të saj online, për të eliminuar korrupsionin e vogël të zyrtarëve hipotekarë, duket se synon një kimioterapi të fortë ndaj një kanceri që ka zemëruar shumë qytetarë deri më sot. Ndër ta, edhe shumë nga 800 mijë votuesit socialistë e socialdemokratë…

Gjithashtu mesazhi i Ramës se nuk do të mbrojë asnjë zyrtar të lartë që bie në rrjetat e SPAK-ut, u jep një mesazh të qartë zyrtarëve të lartë socialistë se duhet të mendohen mirë përpara se ti ngjyejnë gishtat në mjaltin e parave publike. Duke dhënë këtë mesazh ai fiton pikë në opinionin e votuesve të thjeshtë socialistë e socialdemokratë.

Nuk i dihet sesi do të rrjedhin ngjarjet deri në qershor 2025, por rezultatet e zgjedhjeve nga 2013 e këtej na tregojnë se PS+PSD+etj kanë qendruar stabël në nivlin e 800 mijë votave. Dhe në qoftë se ato e kapin këtë nivel edhe më 2025, gjasat janë të mëdha që qeveria Rama të miratohet me 84 vota më 2025. Por edhe nëse miratohet me më pak vota, 84 mund të plotësohen për ligje të cilësuara me ndihmën e pak deputetëve të partive të vogla. Të cilët mund të futen në parlament, në qoftë se lejohen lista krejtësisht të hapura të kandidatëve për deputetë…

Shënim: 800 mijë votat nuk do t’i mjaftojnë Ramës në qoftë se krijohen mundësitë praktike për një pjesëmarrje masive në votim të 1.5 milionë zgjedhësve që janë në emigracion. Por gjasat janë që mundësi të tilla praktike të mos krijohen brenda dy vjetëve…

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit