Home Aktualitet SHBA njofton ...

SHBA njofton vrasjen e shefit të Al-Kaidës

251
0

Një goditje e rëndë për rrjetin terrorist: udhëheqësi i tij Aiman ​​al-Zawahiri u vra në një sulm me dron në Afganistan, njoftoi personalisht presidenti amerikan Joe Biden.

“Drejtësia ka fituar dhe ky lider terrorist është zhdukur”, tha presidenti amerikan Joe Biden në një fjalim televiziv. Operacioni i suksesshëm kundër shefit të Al-Kaidës Aiman ​​al-Zawahiri është një sinjal i qartë për të gjithë armiqtë e Shteteve të Bashkuara: “Pavarësisht se sa kohë duhet, pavarësisht se ku fshiheni: Nëse jeni një kërcënim për popullin tonë, SHBA do t’ju gjejë dhe do t’ju pamundësojë të veproni.”

Sipas Biden, shërbimet sekrete amerikane e kanë zbuluar egjiptianin këtë vit. Ai ishte vendosur “në qendër të Kabulit” për të jetuar me familjen e tij. Biden tha se ai autorizoi një “goditje precize” kundër al-Zawahirit dhe dha dritën jeshile për veprim një javë më parë.

Sipas qeverisë amerikane, sulmi me dron ndaj al-Zawahirit ishte përgatitur për muaj të tërë. Më në fund ai u vra kur doli në ballkonin e vendstrehimit të tij në Kabul. Viktima civile nuk ka pasur.

Akuzat

Një përfaqësuese e qeverisë në Uashington theksoi se anëtarët e udhëheqjes talebane e dinin se bosi i Al-Kaidës ishte në Kabul. Kështu islamistët kishin shkelur qartë marrëveshjet me SHBA-në. Talibanët, nga ana e tyre, e dënuan sulmin dhe akuzuan Shtetet e Bashkuara për shkelje të parimeve ndërkombëtare.

Al-Zawahiri është paraqitur për herë të fundit publikisht në shtator të vitit të kaluar – saktësisht 20 vjet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara. Në një video-mesazh ai u bëri thirrje mbështetësve të tij që të luftojnë shtetet në perëndim dhe aleatët e tyre në Lindjen e Mesme.

Al-Zawahiri mori drejtimin e al-Kaidës pas vdekjes së Osama bin Ladenit, i cili u vra nga forcat speciale amerikane në Pakistan në vitin 2011. 71-vjeçari kërkohej nga autoritetet amerikane, të cilat ofronin edhe një shpërblim prej 25 milionë dollarësh për kokën e tij./DW/

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit