Home Forum Shqipëria e 2...

Shqipëria e 2040, Blushi për fatin e Kosovës dhe afganizmit të trojeve shqiptare

134
0

Panairi i librit në Tiranë ka krijuar një traditë që duhet vlerësuar pozitivisht. Mes botimeve të shumta, audiencën kryesore e mori romani i Ben Blushit, “Komploti”, një produkt letrar i pazakontë jo thjesht për cilësinë e përmbajtjes letrare, por më së shumti për mesazhet që përcjell, një vepër letrare me përmbajtje të nënkuptuar për krizën e ardhshme demografike të shqiptarëve dhe pasigurinë e të ardhmes së vendit si pasojë e dyndjes së emigrantëve. Që ky roman përcjell mesazhe alarmante politike na e bën të qartë autori që në hyrje të tij, ku tek dedikimet, ai ka përdorur vetëm një fjali, “atyre që mund t’i pengojnë ngjarjet e këtij romani të ndodhin vërtet”, fjali që, fare qartë, u drejtohet shqiptarëve, më saktë atdhetarëve. Ben Blushi nuk është i panjohur ndër ne, ai është shkrimtar, gazetar dhe politikan.

Ka botuar disa libra, mes të cilëve unë kam lexuar romanin “Të jetosh në ishull”, i cili më ka pëlqyer shumë, si dhe një libërth të titulluar “Letër një socialisti”, i mbushur me pamflete ku autori kërkon reflektimin e socialistëve të vërtetë, edhe pse sot më kollaj gjen gjilpërën në kashtë sesa një socialist në Partinë Socialiste. “Komploti” është një roman, ngjarjet e të cilit zhvillohen 20 vjet më pas nga sot. Shqipëria është rrudhur nga popullata dhe të huajt janë shtuar së tepërmi, sidomos afganët, që tani llogariten në 200 mijë. Romani nuk ka një personazh të vetëm rreth të cilit zhvillohen ngjarjet, por disa të tillë. Protagonistë kryesorë janë tre çifutë, Lavy Elton, Leonid Trocki dhe Simon Shuter, që bashkohen në rrethana të caktuara dhe bashkëpunojnë për të parandaluar një lëvizje të afganëve që duan të futen në luftë, madje duan që Shqipërinë ta kenë krejtësisht të tyren, me idenë se shqiptarët nuk e meritonin këtë atdhe. Nga fillimi në fund libri përshkohet nga një frymë ksenofobie, por ndoshta merr edhe ngjyra raciste.

Afganët erdhën, komplotojnë dhe e duan Shqipërinë për vete

Romani e ka pikënisjen nga një shpërthim në kampin e iranianëve ku vdesin shumë persona e që pasohet me rënien e qeverisë. Për të ngritur një qeveri thirret një diplomat i vjetër 82-vjeçar, Raul Fico, i cili, mes të tjerëve, emëron ministër mbrojtjeje një afgan, Mohamed Durranin. Ky i fundit tenton të fusë Shqipërinë në luftë, duke propaganduar se vendet dhe popujt rriten vetëm kur sulmojnë e jo kur mbrohen. Mohamed Durrani, i larguar nga Afganistani pas marrjes së pushtetit nga talebanët, është bashkëpunëtor i amerikanëve. Ai martohet me një vajzë katolike në Shëngjin, aty ku është baza kryesore e afganëve, dhe me propozimin e vjehrrit të tij, një dallavarexhi me staturë deputeti, Serafin Pagjinit, zgjidhet nga kryeministri Raul Fico si ministër mbrojtjeje, ndërkohë që më parë ai kishte qenë kryetar bashkie në Shëngjin, i zgjedhur me disa vota më shumë se rivali shqiptar, në një proces zgjedhor ku rezultati ishte i dirigjuar. Durrani, i apasionuar pas sportit të kanoes dhe me një të shkuar politike në Afganistan, guxon si ministër mbrojtjeje të hapë një vatër lufte me qëllim të sulmojë Serbinë, e që t’i kthejë Shqipërisë tokat që ia kishin grabitur. Madje ai bëhet protagonist vetë, teksa provokon duke drejtuar një avion luftarak në kufijtë serbë. Duke qenë se shqiptarët nuk i shkojnë pas, ai inatoset dhe mendon se shqiptarët nuk ishin të denjë për vendin e tyre dhe e ardhmja e këtij vendi u takonte atyre, afganëve.

Gjeopolitika, roli i çifutëve dhe personazhi misterioz i Simon Shuterit

Përplasjet e dy fuqive të mëdha, SHBA-së dhe Rusisë, ku amerikanët mbështesin shqiptarët dhe rusët mbështesin serbët, bëjnë që lufta e tretë botërore të jetë afër dhe Mohamed Durrani po bënte çmos për këtë. Por një referendum i nxitur nga Trocki që mban anën e rusëve sjell ndarjen e palëve. Me Amerikën apo me Rusinë? Afganët rrethojnë Kavajën dhe vendosin shtetrrethimin, duke dashur që referendumi të anulohet, por kjo ka efekt të kundërt. Në lojë futet Lavy Elton, që bllokon naftën dhe frenon makinerinë ushtarake të afganëve. Dhunimi i dy vajzave të një prifti nxjerr zbuluar afganët përballë zemërimit të shqiptarëve, përfshi dhe gruan e ministrit, Agetinën. Të gjithë mbledhin firma gjithandej si kundërshti ndaj projektit të Mohamed Durranit.

Përfundimi është se komploti i afganëve dështon dhe për këtë meritën e marrin tre çifutët. Por nga të tre ata, njeriu që lëvizte çdo gur dhe që, në fakt, komplotonte vazhdimisht ishte Simon Shuteri, i cilësuar si njeriu më i urryer në Shqipëri. Pasi kishte fabrikuar një të vdekur si kryetar bashkie në Elbasan, pasi kishte ngjallur zemërimin e qytetit pas dirigjimit të një pediatre që deklaroi në mes të fushatës divorcin me burrin e saj, Shuter kishte kaluar në Pogradec, e atje takohet me Hasan Dostin nga Gostivari, nip biologjik i një gazetari, por edhe përdhunuesi (Leon Trockit), që duke ndjekur instiktin e çifutit nga gjyshi biologjik, vetëquhet Leonid Trocki. Ky i fundit, ngaqë admironte komunizmin, dëshironte bashkimin me Rusinë.

Për të realizuar qëllimin e tij, për të miratuar një ligj që lejonte eutanazinë, Shuter bashkëpunoi me Trockin duke shfrytëzuar pacientin Vaso Taso, në prag të vdekjes. E gjitha kjo bëhet duke manipuluar opinionin publik, me qëllim miratimin e ligjit për interesa biznesi në rang ndërkombëtar. Kudo ku ndodhej Simon Shuter ndodhnin lëvizje të çuditshme, ndaj edhe kryeministri Fico e telefonon në fund për ngjarjen e Kavajës për të kuptuar si qëndronte e vërteta e revanshit të afganëve. Në fund u mblodhën 50 mijë firma dhe bëhet një referendum, ku shkojnë në votim vetëm 44 vetë dhe rezultati del i barabartë 22:22, pra as me Amerikën e as me Rusinë. Shqiptarët i kishin injoruar superfuqitë, ata nuk e donin luftën dhe refuzonin të ishin “kavje” për eksperimente ndërkombëtare.

Mjaft interesante është ndërhyrja e personazheve të tjerë, që rrotullohen rreth kryesorëve, si Padrona, një prodhuese çokollatash që kishte qenë në burg për evazion fiskal, si dhe shoqja e saj e burgut, Lana Sator, një ruse e kapur në Shqipëri dhe e dënuar për spiunazh e që me ndërhyrjen e Shuterit martohet me Leonid Trockin, duke marrë emrin e Fridës, apo dhe gazetari Babarameto, gruaja e Mohamed Durranit, Agetina etj. Interesant dhe mjaft i goditur në roman është historiku i personazheve që përshkruhet në mënyrë fantastike dhe ku pjesa më e madhe lidhen në një formë a tjetër me Shqipërinë nëpërmjet të shkuarës së tyre.

Duhet një kritikë e fortë letrare për të folur për vlerat e romanit, e këtë mund ta bëjnë ekspertët e fushës, por si lexues mund të themi se Ben Blushi ka goditur, ndoshta më shumë se çdo herë tjetër. Ai ka bërë një roman, një vepër thellësisht letrare, por në këtë roman Ben Blushi më shumë ka goditur me mesazhet indirekte që përcjell, mesazhe që diku jepen të qarta e të kuptueshme, e diku jepen të nënkuptuara, sidomos kur është fjala për informacionet sekrete, kompromiset, përplasjet, rolin e medias etj.

Ben Blushi ka zgjedhur personazhe nga një kontekst i caktuar historik, nga familje që kishin një lidhje të shkuar me Shqipërinë, sikurse ndodh me personazhet e Trockit dhe të Lavi Eltonit, ndërsa Simon Shuter është një çifut i lindur në kalanë e Elbasanit, por me dhunti të pabesueshme për të hyrë dhe dalë nga situatat e vështira.

Letërsi apo fantazi?

Romani i Ben Blushit është art i tipit “futurist”, duke e lidhur parashikimin me zhvillimet aktuale, ku ka shpopullim masiv dhe rënie të lindshmërisë ndër shqiptarët, korrupsionin e lartë dhe ardhja e emigrantëve aziatikë dhe afrikanë. Pra ai ka ndërtuar një roman, brenda të cilit bën parashikime dhe ku e ardhmja duket e zymtë. Duke lënë mënjanë vlerat letrare të romanit, mund të konstatohet se Shqipëria e vitit 2043 është një vend ku shqiptarët vijojnë të largohen, e në vend të tyre shtohen vazhdimisht të huajt. Autori na e lë të nënkuptuar këtë si gjendje alarmante ku komuniteti i të huajve bëhet shumicë në disa zona dhe arrijnë të organizojnë grupime e të marrin vendime në vend të shqiptarëve, sikurse ndodh me këshillin afgan të të urtëve. Ben Blushi me fantazinë e tij na jep një Rusi që ka pushtuar disa vende deri në vitin 2043 dhe Serbinë që ka pushtuar veriun e Kosovës, ndryshime kulturore brenda vendit, tensione ndëretnike etj, pra një hartë e Europës ku rajoni në të cilin përplasen interesat gjeopolitike të fuqive të mëdha, vijon të jetë i pastabilizuar.

Shqiptarët nuk e duan luftën

Mund të ketë mendime të ndryshme, ku shqiptarët në romanin e Ben Blushit mund të duken heronj, por sipas mendimit tim shqiptarët në romanin e Ben Blushit shihen si njerëz pa perspektivë, të aftë vetëm të lëshojnë vendin e tyre, të dobët përballë të huajve dhe të frikësuar nga një përplasje e mundshme ushtarake me serbët. Por në fund ata orientohen drejt duke zgjedhur të bojkotojnë masivisht një referendum se cilën anë do të mbajnë, me Amerikën apo Rusinë. Injorimi i superfuqive ishte, në fakt, fitorja e madhe e tyre. Duke mos dashur luftën ata preferojnë të jetojnë, pra duan paqen. Nëse do të ishte një analizë e bazuar në gjeopolitikë, ekonomi, histori dhe zhvillime sociale e kulturore, Ben Blushi do të ngjasonte me G.Friedman, në “Bota në 100 vitet e ardhshme”, por jo, Ben Blushi e ka kaluar atë, ai ka bërë një roman, pra ka shkruar letërsi, e brenda letërsisë së tij ka dhënë mesazhe politike që Shqipëria duke pranuar komunitete të huajsh rrezikon veten e saj. Ky roman vjen pikërisht në momentin kur Shqipëria ka nënshkruar me Italinë një marrëveshje për pritjen e emigrantëve dhe Shëngjini është caktuar si vend pritës, pikërisht aty ku kanë zbarkuar edhe afganët.

“Komploti” si pjekuri e shkrimtarit Blushi

Romani 274 faqësh i Ben Blushit të mban mbërthyer nga fillimi në fund, për shkak të pazakontësisë së kohës, hapësirës, tempit të zhvillimit të ngjarjeve dhe njëherësh fantazisë krijuese me gërshetim figurash, ku stili i pasqyrimit ruan njëtrajtshmëri. Në jetën publike Ben Blushin e kemi njohur si rebel, një politikan kurajoz që del nga “vatha”, një gazetar me mendime origjinale dhe një shkrimtar elegant. Në një farë mase shumë prej nesh e kemi mbështetur, sidomos kur krijoi “LIBRA”-n. E pse të mos e bënim?! Ben Blushi flet dhe shkruan bukur. Ai përgjithësisht godet në shenjë, e këtë herë ka goditur fort me një roman të pazakontë, i cili, përtej modestisë, ka gjasa të jetë një bestseller.

/ Shkruar nga Adriatik Balla/

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit