Home KRYESORE Shumë zhurmë ...

Shumë zhurmë për të penduarin Dumani që të mos hetohet inceneratori i Tiranës

642
0

Nga Daniel Muçaku-

Skandali i inceneratorëve në qindra milionë euro ryshfete dhe shpenzime, sikur ka disa javë që po zhbëhet me një taktikë po kaq mafioze sa afera e tij.

Natyrisht që rrëfimet e të penduarit të drejtësisë Dumani kanë rëndësi dhe duhet të çojnë pas hekurave shumë njerëz të lidhura me vrasje, afera dhe politikanë të përzier në këto histori.

Por duket se afera e Tiranës për inceneratorët sikur po anashkalohet me djallëzi. Ndërkohë dy gazetarë të njohur, Klodiana Lala, gazetare investigative dhe kurajoze si dhe analisti i pavarur Artur Zheji sot kanë bërë një analizë në news24 për tu admiruar për kurajon dhe profesionilizmin e tyre.

Në emisionin ‘Pikat mbi i’ në News24, gazetarja Klodina Lala tha se hetimi për çështjen e inceneratorëve deri më tani ka mbetur gjysmak, ndërsa shtoi se për inceneratorin e Tiranës nuk ka asnjë zhvillim, kur mund të kishte arrestime VIP në këtë aferë.

“Një i penduar i drejtësisë a do t’i shërbente më shumë hetimit? Përgjigja do të ishte se do të ishte një ndihmëse e madhe, por rasti i inceneratorëve nuk është njësoj si Dumanit. Për këtë rast mjafton ta nisësh që nga gjeneza, pasi janë njerëz që rezultojnë me lidhje politike e ku flitet për dhjetra milionë euro nga buxheti i shtetit”, tha gazetarja Lala.

Ndërkohë gjatë bisedës në studio, analisti Artur Zheji tha se deri më tani SPAK ka zhvilluar disa veprime pozitive, duke shtuar: “Dashuria për të zbërthyer Dumanin, s’duhet të lërë në hije këto çështje të inceneratorëve, sidomos të Tiranës, ku flitet për dhjetra e dhjetra milionë euro”.

Pjesë nga biseda në studio:

Çfarë po ndodh me ato që janë në kërkim për inceneratorët?- pyet Klodiana Lala. “Fakt është që Prokuroria ka në duar çështjen inceneratorit të Tiranës dhe media për këtë ka detyrë të ushtrojë presion. SPAK ka prioritet goditjen e njerëzve të veshur me pushtet. Rasti i inceneratorëve është testi më i madh për Prokurorinë e Posaçme. Nëse historia e inceneratoreve do përfundojë me arrestimin e Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos, ky hetim do të mbetet gjysmak. Bëhet fjalë për shkresa, dokumente, transkriptime, procedura të bëra më shpejtësi…”.

Në vijim Zheji dhe Lala konfirmuan të dy së bashku se afera e inceneratorëve mund të zbardhet shumë lehtë nga prokuroria e policia nëse gjurmohen edhe llogaritë of-shore të personazheve të përfshirë në këtë skemë multimilionëshe përfitimi nga fondet publike.

Lala: Për inceneratorët faktet janë aty. Mund të zbulohet lehtësisht, nëpërmjet gjurmimit të llogarive ofshore, kontakteve.

Zheji: Nëse mund të shkohet te bankat of-shore ato nuk janë më of-shore. Vetëm amerikanët mund ta bëjnë atë. Ato janë të tilla, por asnjëherë nuk gjendet përfituesi fundor. Po patëm fat të gjejmë një numër të gjatë shifror që e kanë ata dhe…

Lala: Por ja që policia e shtetit pati fat që i doli Nuredin Dumani.

Zheji: Po thoja diçka tjetër. Në of-shore, në pjesën dërrmuese nuk ka identitet. Ai që i depoziton paratë mund të jetë një zar, si ky Klodiani a të tjerë. Në fillim merret një shifër e gjatë me 30 numra dhe ti ke një aparat që e mban atë shifër që mos të humbë. Ndaj akti i besimit të këtyre Zotove është shumë i madh se ata mund të zhduken, duke lënë ndonjë gjë këtu normale. Në botën kriminale mirëbesia nuk funksionon por garancia janë pengjet. Prandaj jam dakord me Klodianën që kjo afera e inceneratorëve mund të zbardhet shumë kollaj.

Çështja e Dumanit nuk duhet të heqë vëmendjen nga inceneratorët. Fakti që eklipsimi i rastit Dumani përbën shqetësim se dikush nga politika po luan që të spostohet vëmendja nga inceneratorët. Inceneratorët godasin direkt personazhe të larta politike, ndërsa për të shkuar nga Dumani tek dërguesit e politikës është shumë më e vështirë”, tha Zheji.

Nga ana e saj gazetarja Klodiana Lala, tha se çështja e inceneratorëve është një çështje shumë e madhe dhe një test për SPAK, nuk duhet të fshihet pas çështjes së Nuredin Dumanit, duke lënë pas këtë çështje ku dalin politikanë të lartë të PS dhe qeverisë.

“Në raport me inceneratorët SPAK nuk duhet ta përdorë si armë Dumanin për t’i thënë ndërkombëtarëve që ne jemi duke punuar. Sigurisht që është me rëndësi rasti Dumani, por nga ana tjetër kemi qindra miliona të vjedhura nga buxheti i shtetit, një megaoperacion, pra një test shumë i madh për SPAK. Sot kemi një ish-ministër dhe një ish-deputet prapa hekurave. Mendoj që në këtë histori janë të përfshirë deri në nivele të larta. SPAK duhet të na japë përgjigje për këto dyshime. Nuk besoj që për momentin ka çështje më të rëndësishme se inceneratori i Tiranës. Pra inceneratorët janë rasti më tipik që ka përfshirë nivele të larta të qeverisjes”, tha gazetarja.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit