Home ShowBiz “Sot” e në va...

“Sot” e në vazhdim me Jonida Shehun, në Euronews Albania

516
0

“Mirëmbrëma shikues të Euronews Albania. Ky është ‘Sot’ dhe unë jam Jonida Shehu”. Kjo do të jetë fraza e çdo pasditeje, me të cilën gazetarja dhe moderatorja Jonida Shehu do të hapë programin e saj më të ri, duke filluar nga sot, 17 janar. Çdo ditë, nga e hëna në të premte, nga ora 17:00 deri në orën 19:00, në kanalin e “të gjitha këndvështrimeve”, në Euronews, lajmet nga politika deri tek kultura, do të zbërthehen tashmë edhe nga një këndvështrim i ri dhe pikant, ai i autores e gazetares Jonida Shehu.

Ndonëse “Sot” do të transmetohet drejtpërdrejtë në një fashë orare kur në ekranet e tjera konkurrojnë midis tyre formatet rozë të pasdites, ky program nuk do të ketë asnjë ngjashmëri me këto të fundit, pasi do të përqendrohet njëqind përqind tek aktualiteti. Dhe jo thjesht tek aktualiteti, por tek ekskluzivja, pikantja, tek ajo që të tërheq vëmendjen dhe që nuk mund ta dëgjosh apo shikosh askund tjetër.

Motoja e këtij formati do të jetë: “Asnjëherë gjëra boshe, që nuk thonë diçka, që nuk kanë interes për publikun.” Nëse ka ngjarje të nxehta të momentit, do të vijnë në ekran ato zëra, ata njerëz te të cilët nuk i ka shkuar mendja askujt. Ata personazhe që ndonjëherë mund të duken si më periferikët në një ngjarje, por që në fakt, nëse gërmon pak më thellë, sjellin informacione unike rreth ngjarjes, duke i bërë si ata dhe rrëfimet e tyre ekskluzive. “Në çdo lajm apo ngjarje ka jetë. Ka njerëz e histori. Ne do të përpiqemi të kuptojmë pikërisht këtë dinamikë, këtë jetë brenda lajmit, duke gërmuar pikërisht lajmin ose lajmet brenda lajmit”, zotohet Shehu.

Për të qenë ndryshe nga formatet e aktualitetit, “Sot” do të ketë edhe elemente shou, si publiku, deklaratat e forta apo hapësira kushtuar publikut, mendimi e ndjeshmëria e të cilit rreth ngarjeve do të vilet përmes rrjeteve sociale, apo “Kubit” të famshëm te Euronews. Një gërshetim që një gazetare e moderatore si Jonida, që i ka bërë të dyja, edhe aktualitetin edhe spektaklin, mund t’ia lejojë vetes. “Sot” nuk do të mbetet thjesht tek informacioni zyrtar apo ai i super konfirmuar, tipiku për formatin e lajmeve, por do të ketë më shumë ritëm e provokim.

“Emisioni do të jetë edhe ‘i freskët’, sepse do të ketë aktualitet, por edhe ‘i nxehtë’, sepse gjërat që do të thuhen aty do të djegin”, premton autorja dhe moderatorja Shehu, e cila sqaron më tej edhe katër pjesët nga të cilat do të përbëhet ky program: pjesa e parë do të jetë shumë e fortë, si ajo supa pikante që të djeg gjuhën; pjesa e dytë do të jetë sërish e fortë, por jo aq sa e para; pjesë e tretë do të jetë ajo ëmbëlsira në fund, pak më e lehtë; dhe për ta mbyllur, në pjesën e katërt, një sorbeto, për të mbledhur stomakun. Ata që nuk kanë kohë të konsumojnë informacion në mëngjes e drekë, mund të konsumojnë 17:00 – 19:00 “Sot” dhe janë “ushqyer” mirë e do të ndihen të ngopur.”

“Sot” me Jonida Shehun është në përputhje të plotë me sloganin e Euronews, sepse sjell “all news”, pra të gjitha lajmet, që nga ato politiket, socialet e kulturoret, por edhe “all views”, pra “të gjitha këndvështrimet”, ku nuk do të mungojnë as ato më befasueset.

Ndonëse Shehu pranon se formati do të jetë i vështirë, ai nuk është i pamundur. Aq më tepër që ka në krah një nga televizionet më të fuqishme në tregun mediatik shqiptar, si Euronews Albania, produkt i traditës më të mirë të gazetarisë ndërkombëtare. Bëni çfarë të bëni gjatë ditës, por në pasdite, duke nisur nga sot, të gjithë të sinkronizuar me programin më të mirë të aktualitetit, “Sot”.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Showbizi

Më shumë nga Showbiz

Lajmet e Fundit

Te Fundit