Home Forum SPAK dhe trad...

SPAK dhe tradhtarët e PL, cilin zj*rr do shuajë Meta?

715
0

Nga Redjon Shtylla

Ishte 22 korriku i vitit 2022, kur Ilir Meta mbaroi mandatin si president. Nuk u largua nga politika si bënë ish-presidentët e mëparshëm, por u rikthye tek LSI-ja, që më pas e bekoi me emrin Partia e Lirisë. Prezantoi një mision të ri, por rruga u bë me mëkate. Nëse e shohim sot, Ilir Meta është në një dyluftim si asnjë politikan tjetër në vend, ndoshta edhe në rajon. E para është sulmi i përditshëm, i befasishëm kundër SPAK-ut dhe tjetra që më e fortë dhe shkatërruese për të, është me tradhtarët brenda familjes politike. Disa e quajnë teatër të familjes Meta-Kryemadhi, disa e shohin si përpjekje për të kapur diçka në zgjedhjet parlamentare të 2025.

Nesër në orën 10:00 Meta ka thirrur Konventën Kombëtare me objektivin për të pastruar partinë nga tradhtarët dhe nepotizmi. Nuk do të mungojnë notat patriotike. Vëmendjen kryesore pritet ta ketë pikërisht grupi ”Kryemadhi”, ndaj të cilit Meta ka pasur jo pak kritika dhe madje, akuza të forta duke i cilësuar si tradhtarë e të infiltruar të Edi Ramës, si persona që u shitën për një sufllaqe.

Përballjen e parë Meta-Kryemadhi, ne e pamë në Komitetin Politik Drejtues, por në Konventë, Ilir Meta përballet për herë të parë edhe me të tjerë të besuar të Kryemadhit, si Endrit Braimllari që dha dorëheqjen për shkak të luftës së brendshme. Situata është tragjike edhe për vetë opozitën në vend, pasi puna e tyre është të luftojnë qeverinë dhe jo të thellojnë sherret brenda familjes politike.

E ndërsa sulmet kundër SPAK nuk mbështen as nga partia e tij. Monika Kryemadhi ka dalë kundër gjuhës së bashkëshortit të saj, dhe jo pa të drejtë. Statura e një ish-presidenti, ish-kryeparlamentari dhe ish-kryeministri nuk ja lejonte kurrsesi një fjalori të tillë denigrues dhe fyes ndaj Altin Dumanit. Ndaj askujt dhe aq më tepër ndaj atij që po heton.

Ilir Meta mund të ketë gjithë të drejtën e Zotit të kritikojë apo sulmojë me fakte dhe argumenta, nëse i ka se Altin Dumani po përdoret politikisht apo nga ndërkombetarët, por në asnjë mënyrë me sharje të tilla sepse i bëjnë dëm vetë Ilir Metës.

Ilir Meta nuk është më i akuzuari i këtyre 33 viteve siç thotë mazhoranca, sepse ka para tij edhe të tjerë më të fuqishem politikisht. Por Ilir Meta dje dhe sot kaloi caqet e tij të një politikani që ka bërë histori në Shqipëri. Si një reagim direkt kundër Ilir Metës ishin dy deklaratat e dy ambasadave më të fuqishme në Tiranë, ajo amerikane dhe ajo britanike.

Tashmë Ilir Meta, politikani i vetëm që ka provuar çdo detyrë, pasi ka qenë kryeministër, kryetar parlamenti dhe president, sot është në luftën e fortë përballë dy zjarreve, kundër SPAK-ut për të cilën ka thënë se nëse do ta arrestojë nuk do të arratiset nga vendi, dhe në luftë me tradhtarët e Partisë së Lirisë. Nuk dihet se cili zjarr mund të djegë Metën, apo kë do të mundet ai të shuajë.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit