10 futbollistët e Kombëtares që mund të ndryshojnë ekip këtë verë
Merkato e kësaj vere mund të jetë shumë e rëndësishme për të ardhmen e disa prej futbollistëve të Kombëtares sonë, të cilët mund të ndryshojnë ambient. Disa prej tyre nuk kanë arritur që të tregojnë vlerat e tyre më të mira në sezonit që janë drejt mbylljes, teksa kanë filluar që të marrin edhe propozimet e para. Emri më i lakuar për momentin është ai i Elseid Hysaj-t. Mbrojtësi i skuadrës së Napolit, prej kohësh ndiqet nga klube të mëdha europiane, por tashmë duket se ka ardhur koha që ai të ndryshojë ambient. Tre ekipe të mëdha angleze: Çelsi, Mançester Junajtid, dhe Liverpuli janë të gatshëm që të paguajnë klauzolën e 50 milionë eurove që mjafton për ta shkëputur pa asnjë tratativë nga Napoli.
Ai për momentin dëshiron të qëndrojë, por nuk do të ishte një ide e keqe që nga vera të stërvitet nga Murinjo. Një situatë komplet ndryshe paraqitet për Mërgim Mavraj-n, që ka humbur shkëlqimin te Hamburgu për shkak të përplasjeve me trajnerin dhe kampionati turk është një alternativë e re për të ardhmen e tij. Frederik Veseli gjithashtu mund ta shohim në një klub të ri. Sasuolo dhe Fiorentina kanë shprehur interes për të pas paraqitjeve fantastike në Seria B gjatë sezonit të fundit. Berat Gjimshiti mund të largohet nga Benevento nëse vjen një ofertë e mirë nga ndonjë klub i Seria A, ndërkohë që një situatë e ngjashme duket edhe për Arlind Ajeti-n, i cili ndërkohë nuk po gjen hapësira as te Krotone.
Ledian Memushaj mund të luajë në Seria B, duke qenë se do të jetë e vështirë, që pas këtij sezoni zhgënjyes të qëndrojë në elitën e futbollit italian. Situata duket shumë pozitive për Emanuele Ndoj, i cili së fundmi ka marrë një ofertë 3 milionë euro nga klubi i Sampdorias dhe me shumë mundësi do ta pranojë. Ergys Kaçe ka bërë gati valixhet për t’u larguar nga Panathinikosi që ka probleme ekonomike, teksa destinacioni i mundshëm mund të jetë një tjetër klub në Greqi, ose Qipro. Eros Grezda ndërkohë mund të provojë një aventurë të re në një tjetër kampionat, duke parë sezonin shumë të mirë që ka zhvilluar te Osijek. Kamer Qaka është bërë pjesë e Steausa së Bukureshtit, pasi ka kaluar të mërkurën edhe vizitat mjekësore, duke plotësuar dëshirën e presidentit.
Në listën e legjionarëve së fundmi kanë hyrë edhe Kristal Abazaj te Anderlehti dhe Sindrit Guri te Ostende, të dy do t’i shohim në kampionatin belg të futbollit. Armando Sadiku është një tjetër emër që nuk e ka më të sigurt vendin te Levante në Spanjë. Me shumë pak minuta në dispozicion, sulmuesi kryesor i kuqezinjve po kërkon për një tjetër ekipi edhe pse ka një kontratë me klubin që ka siguruar qëndrimin në La Liga. Mediat spanjolle flasin gjithmonë e më shumë për divorcin e tij me klubin, pasi sulmuesi kërkon një skuadër ku të ketë më shumë mundësi aktivizimi. Sulmuesi ende nuk ka marrë asnjë propozim konkret deri më tani, por nuk përjashtohet një rikthim në Poloni, ose në një kampionat tjetër të një niveli më të ulët se La Liga. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

