Allegri jep lajmin e hidhur para derbit: Këta dy lojtarë do të operohen
Joao Cancelo dhe Juan Cuadrado i shtohen listës së dëmtimeve te Juventusi. Humbja ndaj Young Boys duket se ka pasur pasoja edhe më të rënda. Konfirmimi ka ardhur në konferencën për shtyp të trajnerit të bardhezinjve Massimiliano Allegri.
“Cancelo ka pasur një bllokim në gju, në pjesën e brendshme të meniskut dhe do të operohet. Do të jetë në dispozicion vetëm pas pushimeve. Cuadrado gjithashtu ka një problem në gju, do ta shohim situatën e tij në ditët në vijim, por mund të ketë nevojë për ndërhyrje. Ka edhe lajme pozitive, përveç Emre Can, Khedira do të rikthehet javën e ardhshme, ndërkohë që Spinazzola është mirë.
Sfida me Torinon? Duhet të kemi vazhdimësinë në rezultate, kemi katër ndeshje deri në fundin e fazës së parë. Nesër do të jetë një ndeshje e vështirë, por duhet të gjejmë energjitë e duhura për të përballur Torinon.
Chiellini do të rikthehet. Dyshimi i vetëm është mes Bonuccit dhe Ruganit. Në të djathtë do të luaj De Sciglio, ndërkohë që në të majtë Alex Sandro.
Nga kush do të hiqeje dorë, Chiellini apo Ronaldo? Chiellini është përmirësuar shumë, është mbrojtësi më i mirë në botë. Ronaldo është sulmuesi më i mirë.
Pushimi i Cr7? Ai nuk do të jetë në një nga ndeshjet ndaj Romës, Atalantës ose Sampdorias”, deklaroi Allegri. /Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

