Atletico gjunjëzon kampionët e Europës, super Haaland mund i vetëm PSG (VIDEO)
Faza e 1/8-ve në Champions League ka nisur me spektakël, edhe pse me pak gola. Atletico Madrid ka arritur që të fitojë 1-0 në aktin e parë ndaj kampionëve të Europës, Liverpoolit.
Sfidën e vendosi një gol i shpejt i shënuar nga Saul që në minutën e 4-t duke përfituar nga një përgjumje e mbrojtjes angleze. Skuadra e Simeones zhvilloi një ndeshje shumë të mirë duke krijuar edhe mundësi të tjera shënimi.
Borussia e Dortmundit është me fat që ka në skuadër një sulmues si Haaland. Verdhezinjtë fituan 2-1 ndaj PSG në duelin e parë në Gjermani. Bomberi norvegjez zhbllokoi ndeshjen në minutën e 69-të pas një paqartësie në zonë.
Neymar barazoi në minutën e 75-të, pas një aksioni fantastik të Mbappe, por gëzimi i tyre do të zgjaste pak sekonda. Erling Haaland shënoi me një predhë në hyrje të zonës. Gjithçka e hapur në të dyja ndeshjet për në duelet e kthimit, teksa spektakli duket i garantuar. /R.Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

