Barcelona kushton mesazh emocionues Messit: Faleminderit që e bëre fanellën e Argjentinës edhe më ikonike
Barcelona ka reaguar pas përfundimit të aventurës së Lionel Messit me kombëtaren e Argjentinës, duke i kushtuar një mesazh të veçantë legjendës së klubit katalanas.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Barcelona rikujtoi disa prej momenteve më të rëndësishme të karrierës së Messit me kombëtaren.
“Nga medalja e artë në Pekin në vitin 2008, te një karrierë e paharrueshme, duke shkruar historinë në çdo hap”, shkroi klubi katalanas.
Barcelona e mbylli mesazhin me një urim për ish-kapitenin e saj: “Urime, Leo, që vazhdon ta bësh fanellën e Argjentinës edhe më ikonike”.
Messi e përfundoi karrierën me kombëtaren pas 208 ndeshjesh dhe 126 golash. Gjatë kësaj periudhe, ai fitoi Kupën e Botës, dy herë Copa América dhe Finalissima-n, ndërsa në nivel të ekipeve kombëtare triumfoi gjithashtu në Lojërat Olimpike dhe në Kupën e Botës U20.
Lamtumira e tij nga “Albiceleste” ishte emocionuese. Në ndeshjen ndaj Beninit, në stadiumin “Monumental”, Messi mori një pritje të veçantë nga tifozët, duke mbyllur një kapitull historik të karrierës së tij ndërkombëtare.
Lidhja mes Messit dhe Barcelonës mbetet një prej historive më të rëndësishme në futboll. Argjentinasi kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij profesionale në klubin katalanas, ku zhvilloi 778 ndeshje zyrtare dhe shënoi 672 gola.
Me Barcelonën, Messi fitoi gjithsej 35 trofe, duke u shndërruar në figurën kryesore të historisë së klubit.
A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?
Results
Vota totale: 4842

