Bonucci: Juventus është si një dragua me 7 koka, i pret një dhe del një tjetër
Juventusi u trondit mbrëmjen e kaluar, teksa Gjykata e Apelit pranë Federatës Italiane të Futbollit, vendosi t’i heqë 15 pikë nga renditja e sezonit aktual, pasi gjeti parregullsi dhe falsifikime në bilancet e klubit.
Pas një hetimi të gjatë, bardhezinjtë u shpallën fajtorë dhe u ndëshkuan me heqje pikësh. Megjithatë për të ngritur moralin ka menduar kapiteni Leonardo Bonucci.
Ky i fundit ka shpërndarë një mesazh në rrjetet sociale, ku i krahason bardhezinjtë me një “dragua me 7 koka” dhe premton ringritjen shumë të shpejtë të skuadrës.
“Juventus është si një dragua me 7 koka. I pret një dhe del një tjetër. Nuk dorëzohet kurrë, pasi forca e klubit buron te ambienti”, shkroi Bonucci.