Bryan Ibrahimi, talenti “gjigant” që kërkon të ecë në hapat e Canës
Të nisësh hapat e para të karrierës si futbollist në Shqipëri dhe të ngjisësh shkallët për t’u bërë pjesë e ekipeve profesioniste është e vështirë. Terrenet aspak të përshtatshme dhe fakti se numri i klubeve që mbështeten të rinjtë është i pakët, ka detyruar shumë shqiptarë të largohen në vende të ndryshme të Europës për të treguar talentin e tyre.
Një prej tyre është edhe Bryan Ibrahimi, i cili aktivizohet në ekipet e të rinjve të ekipit Scuola calcio San Donà, në kampionatin e të rinjve. 16-vjeçari luan në rolin e qendërmbrojtësit prej dy sezonesh, teksa vitin e kaluar gjeti njëherë rrugën e rrjetës. Ai stërvitet nga ish-futbollisti i Milanit, Mario Stancanelli, ndërkohë që ka eksperienca edhe me ekipe të Seria B dhe Seria C.
Ibrahimi deri më tani ende nuk ka marrë asnjë ftesë nga ekipet e moshave të kombëtares sonë, por në një të ardhme të afërt mund të bëhet pjesë e U-19, pasi mosha e tij dhe fakti se ka vazhdimësi në futbollin e moshave në Itali mund të jetë një faktor që mund ta ndihmojë.
Gjetja e mbrojtësve asnjëherë nuk ka qenë një mision i thjeshtë dhe këtë gjë e tregon dhe problematika që po has Panucci në gjetjen e një pasusi ideal për Lorik Canën. Fiziku potent dhe gjatësia 1.87 m janë të dhëna që e bëjnë Ibrahimin, një talent me shumë potencial për të ardhmen. /Rozalb Lika-Koha Jone/

KOHA JONË SONDAZH

