City dhe Liverpooli mund të luajnë “playoff” për të fituar titullin, ja skenaret
Manchester City dhe Liverpool po bëjnë një garë spektakolare për titullin kampion në Premier League, teksa me rimtin e treguar kanë lënë të kuptohet se gjithçka mund të vendoset edhe vetëm nga një gol. “The Reds” do të jenë të parët që do të zbresin në fushën e lojës, pasi do të luajnë të shtunën në mbrëmje ndaj Newcastle në një ndeshje, që nuk parashikohet aspak e thjeshtë. Skuadra e Pep Guardiolës ndërkohë do të presë Leicester të hënën, ndërkohë që në javën e fundit do të luajnë në transfertë ndaj Brighton, ndërkohë që Liverpooli do të presë Wolves.
Nëse të dyja skuadrat do të fitojnë dy ndeshjet e mbetura, gjë që është më e mundura që të ndodhë, atëherë Cit do të kurorëzohej kampion me 98 pikë, ndërkohë që Liverpooli do të mbetej në vendin e dytë me 97 pikë. Por nëse të dyja ekipet e mbyllin në të njëjtën kuotë pikësh, atëherë do të futej në lojë golaverazhi. Për momentin “qytetarët” kanë shënuar 90 gola, ndërkohë që Liverpooli 84. Ata kanë një superioritet +4 nga skuadra e “The Reds” për diferencë golash.
Por çfarë mund të ndodhë nëse të dyja skuadrat do ta mbyllin edhe me golaverazh të njëjtë deri në fund të kampionatit. Do të ishte diçka e rrallë, por jo e pamundur. Le të shohim të gjitha rastet se kur mund të ndodhë një gjë e tillë:
City barazon në të dyja ndeshjet 0-0, Liverpool fiton 5-0 dhe mundet 2-1
City fiton 1-0 dhe mundet 1-0, Liverpooli fiton 4-0 dhe barazon 3-3
City barazon 0-0 dhe mundet 4-0, Liverpooli i barazon të dyja ndeshjet 3-3.
City mundet 3-0 dhe 2-0, Liverpooli barazon 3-3 dhe mundet 4-3
Në këtë mënyrë, “The Reds” do të kishin shanse të mira për të fituar titullin vetëm në rast se skuadra e Guardiolës do të mundej të paktën në njërën nga ndeshjet. “Play Off” për titullin kampion do të ishte “qershia mbi tortë” në një sezon të jashtëzakonshëm në Premier League. /Rozalb Lika-Koha Jone/

KOHA JONË SONDAZH

