Cungu: Doja Tottenhamin në Europa league, Hapoel nuk është i pakalueshëm!

Armando Cungu komenton shortin e Laçit në turin e dytë të Europa Leagues. Në një prononcim për Abc News, trajneri i skuadrës kurbinase analizoi Hapoel Beer Shevan ndërsa zbuloi edhe dëshirën e tij se si tifoz anglez do t’i pëlqente një përballje me Tottenhamin.

“Nuk kemi luksin të zgjedhim rivalin, pasi nuk ka ekipe të lehta në këtë fazë. Hapoel Beer Sheva nuk është ekip i pakalueshëm. Sigurisht flasim për një klub me buxhet shumë të lartë, siç janë të gjitha klubet në Izrael. Edhe në turin e parë kaluam një ekip serioz dhe tani do mendojmë për ndeshjen tjetër me Hapoel Beer Sheva. Kundërshtarin e mësova rrugës për në stërvitje dhe nuk është se kam pasur shumë kohë ta studioj, veç ndonjë informacioni të përgjithshëm. Normalisht do ulemi dhe do e vëzhgojmë si ekip.

Ne si Laç duhet të luajmë futboll aq sa dimë, të tregojmë shpirt gare. Kjo është ajo që kemi në dorë, të tjerat nuk i kemi në dorë. Te futemi në fushë e të japim maksimumin. Edhe ndaj ekipeve nga Malta apo nga ndonjë vend tjetër me futboll më pak të zhvilluar, është e vështirë sot, pasi të gjithë kanë mësuar të luajnë futboll. Kështu na duhet të jemi seriozë dhe të jemi gati për ndeshjen.

Shansi për të ‘peshkuar’ Tottenhamin? Në aspektin personal do të kisha dashur të luanim kundër Tottenham, pasi ndeshje të tilla mbeten shenjë në jetë. Por më duhet të flas si trajner i Laçit dhe normalisht nuk donim të përballeshim me ta. Shanset me ta ishin zero, ndaj shorti që na ra është i pranueshëm për ne”, u shpreh Cungu.

 

SHKARKO APP