Daja: Fitore e merituar, meritojmë karton jeshil nga UEFA
Pas fitores me përmbysje 1-2 ndaj Kamzës, trajneri Ilir Daja nuk kishte si të mos ishte i kënaqur nga futbollistët e tij. Ai ka vlerësuar së pari ekipin për mënyrën si e administron lojën edhe kur është në disavantazh, ndërkohë që për çështjen e dënimit të mundshëm nga UEFA ka theksuar se do të ishte një kthim prapa për futbollin shqiptar.
“Jam shumë i lumtur për fitoren, pasi besoj se luajtëm mirë dhe kontrolluam lojën. Lojtarët e interpretuan mirë lojën dhe nuk lëshuan për asnjë moment, gjë që u shpërblye me golat. Më vjen mirë edhe për Vilën, që shënoi dy gola sot. Ai është një futbollist profesionist dhe me shumë eksperiencë, të cilit ne i besojmë shumë. Kamza është një ekip shumë simpatik dhe më vjen mirë që ia dolëm. Këtu ka kushte mjaft të mira për të luajtur futboll dhe një skuadër si e jona di të shprehet në situate të tilla.
Akuzat e UEFA-s? Unë mendoj që futbolli shqiptar ka ndryshuar rrënjësisht në vitet e fundit dhe Skënderbeu ka një meritë të madhe në këtë pjesë, pasi theu disa tabu për skuadrat shqiptare. Për gjithë çfarë kemi bërë për futbollin, qoftë të Korçës, qoftë të Shqipërisë, ne meritojmë që të marrim një karton jeshil, pasi i kuqi do të ishte lajm i keq për futbollin shqiptar në tërësi”, deklaroi Daja.
KOHA JONË SONDAZH

