Daja: Jemi të dënuar për të fituar kundër Vllaznisë!
Partizani do të sfidojë nesër Vllazninë në ndeshjen më të rëndësishme të javës së 3-të të Superiores. Ilir Daja, trajneri i të kuqve para duelit tregoi se Partizani nuk shkon në gjendjen më të mirë ndaj nënkampionëve.
“Kemi marrë një pikë, por ndeshjes me Skënderbeun nuk i gjej asnjë gabim. Goli nuk është gabim, është faj. Kemi bërë ndeshje të mira, por nuk kemi qenë në maksimumin tonë. Kemi luajtur në fushën e kundërshtarit. Me Skënderbeun luajtëm mirë.
Kemi një ndeshje të vështirë me Vllazninë. Po kalojmë një moment të mirë. Vështirësia rritet për faktin që duhet të fitojmë patjetër. Është koha për të fituar. Jemi të dënuar të riskojmë gjithçka për të marrë tre pikët. Një fitore do i bënte shumë mirë skuadrës në aspektin psikologjik.
Damcevski mungon për probleme shëndetësore, ka edhe të tjerë për të cilët do vendosë stafi mjekësor. Vllaznia ka kundërsulm vrastar, kanë tre sulmues të shpejtë. Do jetë një ndeshje e vështirë. Goli? Ne kemi çeduar në finalizim, raste kemi pasur dhe kemi humbur edhe një penallti.
Sulmi ka edhe pjesë krijimtarie brenda. Duhet pak më shumë të konsolidohemi në fazën e sulmin. Janë edhe 99 pikë në lojë, është herët për të thënë ku do jemi. Gjithmonë Partizani ka objektiva madhorë. Le të fokusohemi te ndeshja e nesërme, pasi ajo është shumë e rëndësishme dhe ne nuk jemi në maksimumin tonë”, tha Daja.