Daja: Shkojmë në Korçë për fitore, javët e para nuk tregojnë gjithçka

Humbja në javën e parë ndaj Teutës nuk e shqetëson aspak trajnerin e Partizanit Ilir Daja. Në konferencën për shtyp para duelit me Skënderbeun ai u shpreh se rezultatet e javëve të para nuk tregojnë gjithçka për forcën e skuadrës.

“Në këto javë të para rezultatet janë pjesë e rëndësishme, por nuk tregojnë gjithçka. Mendoj që kemi një ndeshje delikate në Korçë, sepse, pavarësisht se Skënderbeu ka humbur si ne, gjatë pjesës së parë ka bërë goxha mirë kundër Tiranës. Shkojmë në Korçë duke respektuar maksimalisht kundërshtarin.

Kaçe apo Mala? Partizani është një ekip me lojtarë cilësorë, dy nga të cilët janë Kaçe dhe Mala. Nuk mund të themi kush do ta nisë titullar, pasi kemi dhe një seancë stërvitore. Do të luajnë ata që kanë gjendjen më të mirë. Ndoshta ndonjë mundet të sakrifikohet për shkak të pozicionit, jo për shkak të vlerave.

Është ndeshje delikate, duhet patjetër të shkojmë drejt fitores, sepse besoj që i kemi kualitetet e duhura për të bërë këtë gjë. Ajo që më pëlqeu në ndeshjen e parë ishte motivimi që kishin lojtarë dhe të dëshira për të fituar, përtej gjërave të tjera që duhen përmirësuar. Skënderbeu është një ekip simpatik, që vjet në pjesën e dytë të kampionatit kanë bërë mirë. Pjesa më e madhe janë lojtarë të rinj. Duhet të jesh gjatë gjithë kohës të kujdesshëm. Duhet të jemi të motivuar maksimalisht nëse duam të arrijmë marrjen e 3 pikëve.

Stadiumi i ri? Mendojmë që të paktën nga mesi i tetorit të fillojmë stërvitjet në fushën e kompleksit të ri. Për këtë kemi marrë dhe fjalën e presidentit. Ndërsa për ta bërë komplet stadiumit të gatshëm për të pritur ndeshjet tona, besoj se në muajin nëntor”, deklaroi Daja në konferencën për mediat.

SHKARKO APP